Nga Ylli Pata
Të gjithë e dinin që në qarkun Lezhë, Partia Demokratike do të arrinte të fitonte zgjedhjet, edhe nëse do të çonte kandidat një markmark. Por Lulzim Basha, e rriti dozën, dërgoi edhe një gjekmark.
Megjithëse qeveria në qarkun Lezhë, ka ndërmarrë një aksion të gjerë investimesh, kryesisht në zonat e goditura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ku secilit që i është prishur shtëpia do t’i ndërtohet falas, banorët e Bashkisë Kurbin dhanë 5 mijë vota më shumë për PD-në sesa për PS-në.
E Mark Marku, mbrëmë në studion e Eni Vasilit, vetëm çirrej e bërtiste, ku thoshte se qeveria ka blerë vota nëpërmjet influences, duke u ndërtuar shtëpitë banorëve të Kurbinit.
Po kur i ka blerë qeveria, atëherë përse ata votuan në shumicë për PD-në?
Se në Bashkinë Lezhë, ku rindërtimi nuk është masiv, pra në qytet dhe fshatrat përreth, PS e PD thuajse kanë dalë barazim, ndërsa në Mirëditë PD është në avancë me vetëm me 1 mijë vota.
Ndërkaq, vetëm në Laç, Mamurras, Milot e fshatra, diferenca është shumë e madhe, e cila i ka dhënë mundësinë PD-së që të merrte mandatin e katërt në Qarkun Lezhë dhe fitoren politike.
Megjithatë, arsyeja nuk ka lidhje me Mark Markun, i cili është dhe pedagog i Katedrës së Gazetarisë në UT, ku arsyeja është A-ja e formimit të një reporteri të ardhshëm.
Etika, as e ka parë kurrë ku bie Mark Marku, edhe pse ka qenë drejtues i Këshillave të Etikës në mediat e Koço Kokëdhimës, ku u vinte gjoba reporterëve për të zbutur fondin e pagave që paguante Koço.
I thoshte Carlo Bolinos: “Mbylle se do të të kthehem ty”, a thua se ka dalë nga një pijetore Rubiku, ku ka tharë një shishe raki të butë kumbulle.
Lërë ai tjetri, që duket sikur ka mitroloz në gojë, që e dërgon PD në studio televizive dhe iu thotë të gjithëve që ka përballë se “jeni injorantë dhe unë jam profesor”.
O Zot, ai profesor?!
Nejse, nuk ka lidhje analiza individuale e lojtarëve të skuadrës që humbi më 25 prill, por fakt është se ato janë pasqyrat e katandisjes së nivelit politik të PD-së së Lulzim Bashës në këtë derexhe.
Arben Ristani, nuk është mburrur asnjëherë që është ndonjë filozof, a pedagog si këta më sipër, është jurist me përvojë 30 vjet, ka qenë avokat, gjyqtar, kryetar KQZ-je, deputet etj, por fjala e tij ngjiti.
Ristani ka arsye më të forta për të qenë kundërshtar i Edi Ramës, pasi i mori mandatin e kryebashkiakut në 2011-n në tavolinë.
Por gjithsesi ta krahasosh nivelin e tij me të Markut e të panelistëve që çon zyra e shtypit të PD-së në emisione, është ku e ku.
Lëre pastaj, po ta krahasosh me Arben Imamin, i cili edhe pse një “politikan i vjetër”, në një intervistë 10 minutëseh të bind me argumentim, arsye, logjikë dhe ton normal politik.
Skuadra e Bashës duket e gjitha sikur mban duart gjithë ditën te shtylla e 220 kilovoltëshit.
Bërtasin, sulmojnë dhe kur dikush replikon ja kthejnë: “Mbylle se do të kthehem”!
Por këtë e bëjnë vetëm para kamerave, se në jetë pastaj janë më të qetë.
Se kush ua fut në kokë, këtë nivel politik, një Zot e di.
“Po i ndërton qeveria shtëpitë për vota”, thonë këta të PD, po përse në kohën e tërmetit nuk pranuan të bashkoheshin me qeverinë në një komision të përbashkët për të hartuar planin e rindërtimit?
Po shpiknin lajme të rreme për të futur njerëzit në panik.
Përse nuk bënë si Elvis Naçi, i cili dihet botërisht që është me PD-në dhe disa nga njerëzit që ka Basha përreth janë lobim i tij, po nisën ta sulmojnë atë, siç bënë edhe ditëve të fundit të fushatës?
Dhe kur Rama të dilte për të parë apo përuruar shtëpitë e reja, PD-ja kishte të gjithë mundësinë e arsyen për të thënë se plani është i përbashkët dhe kontributi gjithashtu, megjithëse qeveria merret me menaxhimin.
Po ku kanë parë ata që një qeveri të mos promovojë punën e saj për fatkeqësitë natyrore?
Është gjëja më normale në botë dhe e bëjnë të gjithë.
Ashtu bëri edhe Berlusconi në Amatrice, ku është bërë emblematike legjenda urbane, kur i dhuroi një të moshuare, edhe protezat e dhëmbëve që i kishin humbur gjatë tërmetit, përveç shtëpisë së re.
Por nëse ndonjë qytetar është me PD-në dhe i ndërtohet shtëpia, ai nuk ka përse të votojë ndryshe, se nuk ja sheh kush votën.
A nuk ndodhi kështu në Kurbin? E thonë shifrat që janë në KQZ.
Megjithatë është e kotë rrekja arsyetuese me tipa të tillë, ata janë dëshmia reale e katandisjes dhe nivelit politik tip depresiv të PD-së së Lulzim Bashës…/ TemA