Shënim Lexo.al / Akti i sotëm i kontrollorëve të aeroportit ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ ishte një tregues i qartë se shteti dhe drejtësia duhet të veprojnë me të gjithë fuqinë e ligjit për të mos u përsëritur kurrë më.
Sot, kontrollorët me grevën e tyre morën peng Shqipërinë dhe cënuan sigurinë kombëtare. Veprimi i tyre sot i cili është në kundërshtim me nenin 197 të Kodit të Punës, ishte një akt i rrezikshëm që tregon se si një grup individësh në një sektor të caktuar mund të marrin peng një vend. Ata sot këtë bënë, morën peng vendin në tokë duke mos kryer punën e tyre dhe duke penguar lëvizjen e lirë të njerëzve për qejf e për hall qoftë. Ata sot penguan ekonominë, penguan vaksinimin, penguan gjithçka duke rrezikuar njëkohësisht edhe sigurinë kombëtare të Republikës.
Pavarsisht të gjithë prapaskenave politike dhe ndikimeve për efekte elektorale, ata që sot braktisën detyrën e shenjtë që kanë për të kontrolluar qiellin shqiptar, duhet të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit. Sepse, larg qoftë sikur po këtyre që morën peng aeroportin sot në tokë, nesër tu ngrihet mendja që të mbajnë peng linjat ajrore në qiell? Imagjinoni sikur ata që sot mbajtën ‘peng tokën’, nesër të mbajnë ‘peng ‘ajrin’?
Pikërisht për të parandaluar ndonjë katastrofë kamikaze të lajthitjes së atyre që sot braktisën një detyrë që thjeshtë nuk mund të braktiset, drejtësia duhet të bëjë drejtësi, sepse një precedent i tillë është i rrezikshëm për qytetarët dhe Shqipërinë.