Do të jetë e pamundur për çdo klub ta blejë Kylian Mbappen apo Erling Haalandin për qenë pjesë e Superligës Evropiane, sipas presidentit të Real Madridit, Florentino Perez. Në muajt e fundit është përfolur bujshëm se klubi i Perezit dëshiron t’i transferojë të dy lojtarët në fjalë, madje edhe para njoftimit për krijimin e Superligës nga 12 klubet më të mëdha evropiane.
Megjithatë, me këtë garë që po dështon të jetësohet, Perezi thotë se nuk e sheh ndonjë mënyrë sesi një klub në botën e futbollit mund ta përballojë blerjen e Haalandit apo Mbappes këtë verë.
“Në përgjithësi, nuk do të ketë blerje të mëdha këtë verë. Kur paratë nuk rrjedhin nga klubet e pasura te klubet e varfra, të gjithë vuajnë”, tha Perezi.
“Është e pamundur të bësh blerje si Mbappe apo Haaland, në përgjithësi, jo vetëm për Real Madridin, pa Superligën”, shtoi ai. “Nëse ne nuk e blejmë Mbappen këtë verë, nuk mendoj se ndonjë tifoz do ta qëllojë veten në kokë. Ata e dinë se ne po e bëjmë më të mirën tonë, dhe nëse gjërat nuk ndodhin, është sepse janë të pamundura”, tregoi ai.