Sipërmarrësja dhe influencuesja e famshme italiane, Chiara Ferragni përmes një postimi në Instagram kritikoi mjaft ashpër menaxhimin e fushatës së vaksinimit ndaj Covid-19 në Itali. Ajo tha se gjyshja e bashëshortit të saj Fedez, Luciana Violini, e cila pak ditë më parë mbushi 90 vjeçe, do ta bëjë vaksinën sot dhe kjo gjë erdhi pasi ajo i kishte kritikuar për menaxhimin jo të mirë të kësaj situate.
“Nëse dje isha e zemëruar, sot jam edhe më shumë e zemëruar duke menduar se gjyshe Luciana, e cila kishte të drejtë të vaksinohej para shumë muajsh, arrin të fitojë të drejtën e saj vetëm sepse dikush ka frikë se unë mund të trazoj opinionin publik. Po gjyshërit e tjerë që kanë të njëjtën të drejtë dhe nuk kanë dikë që të dëgjohet në media, si do ia bëjnë? Ne duam të vaksinojmë të dashurit tanë sa më parë të jetë e mundur dhe të ndalojmë të kemi frikë se midis atyre 500 vdekjeve në ditë, mund të jenë edhe të dashurit tanë”, shkruan Ferragni, duke theksuar se ka menduar për një kohë të gjatë para se të thotë diçka javët e fundit, por që vendosi të flasë vetëm pas “favorizimit” të padrejtë të gjyshes Luciana. Më pas Chiara i drejtohet kryeministrit dhe të gjithë politikanëve, ministrave dhe parlamentarëve të vendit, për të filluar nga puna konkrete sepse njerëzit janë lodhur shumë duke dëgjuar vetëm fjalë.