Kryeministri Rama, në një takim me banorët në Bylis të Mallakastrës, foli për investimet që do ta kthejnë Shqipërinë në kampione të turizmit në Ballkan.

Rama foli për investimet e bëra nga qeverisja e tij, dhe ata që pritet të bëhen përgjatë mandatit të tretë, duke u ndalur kryesisht tek aeroportet.

“Aeroporti i Vlorës është vonuar për shkak të luftës, na zuri lufta. U bllokua procesi, por tani për pak ditë pas shpalljes së fituesit lidhet dhe kontrata, dhe kështu fillon puna. Brenda këtij mandati të tretë do të kemi Aeroportin e Vlorës. Ndërkohë që pa mbaruar ende ky mandat, për pak ditë do të hapet aeroporti i Kukësit. Menjëherë sapo të lidhet kontrata për Vlorën do të fillojë gara për Sarandën, dhe do ta bëjmë Shqipërinë me 4 aeroporte. Edhe investimet në aeroportin e Rinasit do të fillojnë, e do të kryhen më në fund, por edhe çmimet do të ulen që të vijnë në normalitetin e mesatares europiane.” – u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, falë investimeve të qeverisë socialiste, Shqipëria do të bëhet kampione në Ballkan për turizmin, agroturizmin dhe eksportet bujqësore brenda kësaj dekade.