Gratë në të gjithë botën e kanë të vështirë, gati të pamundur për të marrë vendime përsa i takon fizikut të tyre për të kryer ose jo marrëdhënie seksuale me partnerin, apo për të përdorur ose jo kontraceptivë si një mënyrë efikase për të mbrojtur shëndetin riprodhues.
Raporti i fundit i UNFPA-së “Gjendjen e Popullsisë së Botës” tregon se pothuajse gjysmës së grave në 57 vende iu mohohet e drejta për të vendosur mbi seksualitetin, shëndetin riprodhues dhe kujdesin shëndetësor duke marrë në konsideratë kosto financiare për veten, për familjen apo për sistemin shëndetësor.
Raporti që bazohet mbi autonominë fizike evidenton se vetëm 55 % e grave janë tërësisht të fuqizuara për të marrë vendimet e tyre në lidhje me aktet seksuale me partnerin dhe 71 % e vendeve garantojnë akses në kujdesin e përgjithshëm amtar.
Përsa i takon planifikimit familjar, vetëm 75 % e vendeve kanë siguruar në mënyrë ligjore akses të plotë dhe të barabartë në kontracepsion. 80 % e vendeve kanë ligje që mbështesin shëndetin dhe mirëqenien seksuale dhe 56 % e vendeve kanë ligje dhe politika që mbështesin edukatën gjithëpërfshirëse seksuale.
Për herë të parë, raporti i Kombeve të Bashkuara përqendrohet në autonominë e trupit: fuqinë dhe mundësinë për të bërë zgjedhjet për fizikun, pa patur frikën se dhunohesh apo se do e marrin të tjerët këtë vendim për ty.
Në vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore pavarësisht nismave të mira qeveritare të ndërmarra, ende ka një shifër të lartë të grave që nuk marrin vendime për turpin e tyre. Sipas të dhënave të UNFPA, 19 % e grave që nuk kanë ende autonominë e tyre fizike janë në Ukrainë, 23 % në Kirgistan, 31 % në Shqipëri dhe 34 % në Armeni. Në Taxhikistan 67 % e grave nuk mund të marrin vendime autonome mbi këto çështje themelore.
Por në botë ka ende ligje dhe rregulla shoqërore kur dhunuesi jeton apo martohet me viktimën. Sipas raportit, nuk janë në numër të vogël për 20 vende në botë, ku menataliteti dhe detyrimet sociale bëjnë martesa të tilla mes dhunuesit dhe viktimave. Duke u martuar me viktimën e abuzuar seksualisht, një burrë mund t’i shpëtojë ndjekjes penale. 43 vende në të gjithë botën nuk kanë legjislacion që të adresojë çështjen e përdhunimit martesor (përdhunim nga bashkëshorti). Më shumë se 30 vende u kufizojnë grave të drejtën të lëvizin jashtë shtëpisë. Vajzat dhe djemtë me aftësi të kufizuara kanë gjasa pothuaj tri herë më shumë të përballen me dhunë seksuale, dhe vajzat janë më të rrezikuara.
Raporti tregon se si përpjekjet për të adresuar abuzimet mund të çojnë në dhunime të tjera të autonomisë së trupit. Për shembull, për të ndjekur penalisht një rast përdhunimi, një sistem i drejtësisë penale mund t’i kërkojë një të mbijetuare të dhunës të bëjë një test virgjërie, që në vetvete është dhunim.
Zgjidhjet e vërteta, sipas raportit, duhet të marrin parasysh nevojat dhe eksperiencat e atyre që janë prekur.
Gjendja e Popullsisë së Botës është një ndër botimet më të rëndësishme të UNFPA pasi kërkon të ndërgjegjësojë ose të ndikoj në marrjen e vendimeve ligjore për gratë me qëllim mbrojten e tyre. Botuar që prej vitit 1978 e në vazhdim, ky raport hedh dritë mbi çështjet prioritare në fushën e shëndetit dhe të drejtave seksuale dhe riprodhuese, duke analizuar situatat dhe duke kërkuar nga qeveritë respektive marrjen e masave.