Për herë të parë pas gjashtë muajsh, qytetarët çekë u zgjuan sot me shpresën se e kanë lënë pas urgjencën shëndetësore antiCovid-19, pasi vendi u dha fund rregullave të ashpra të pandemisë. Sidoqoftë, ndërsa kufizimet shëndetësore të vendosura si rezultat i pandemisë janë lehtësuar, ato nuk janë hequr plotësisht në një nga vendet më të goditura në botë.

Agjencia çeke e lajmeve CTK vuri në dukje se ora e ndalimit të natës nuk do të zbatohet më, por kufizime të tjera do të mbesin, duke mbajtur shumë restorante dhe biznese të mbyllura për momentin. Njerëzve u kërkohet gjithashtu të vazhdojnë të mbajnë maskat në publik. Gjendja e jashtëzakonshme hyri në fuqi më 5 tetor dhe më pas u rinovua disa herë.

Megjithatë, parlamenti kohët e fundit refuzoi çdo zgjatje të mëtejshme, pavarësisht nga kërkesat e qeverisë për të mbajtur kufijtë në lëvizjen individuale për shkak të frikës se sëmundja do të fillojë të përhapet përsëri dhe të mbingarkojë sistemin mjekësor të vendit.