Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo, e ka pranuar se Cristiano Ronaldo nuk mund të jetë më në murin mbrojtës të skuadrës gjatë goditjeve të lira, për shkak të një gabimi tjetër të portugezit në vendosje. Juventusit i duhej me patjetër një rezultat i mirë kundër Parmës të mërkurën, pas humbjes kundër Atalantës një javë më parë.
Por bardhezinjtë e gjetën veten në disavantazh në pjesën e parë, pasi Gaston Brugman shënoi gol nga gjuajtja e lirë, para se Alex Sandro të shënonte dy herë dhe Matthijs de Ligt një herë për t’ia siguruar Juves një fitore me përmbysje 3:1.
Pas një vendosjeje të gabuar në mur që i kushtoi Juventusit me eliminim nga Liga e Kampionëve muajin e kaluar, Ronaldo bëri të njëjtin gabim edhe te goli i Parmës, duke e mbuluar fytyrën dhe duke u ulur poshtë.
Pirlo u pyet pas ndeshjes nëse 36-vjeçari do të largohet nga kjo detyrë. “Fatkeqësisht, këto gjëra ndodhin. Ne duhet ta vlerësojmë këtë në ditët në vazhdim”, tha Pirlo.