Udhëtim në kohë, kur numrat nuk ishin një efekt personal i futbollistëve, por përfaqësim i një identiteti të përcaktuar qartë. Është një ditë e ftohtë, fryn erë. Është një ditë e lagësht dhe duhen rroba të ngrohta, në stol është një burrë që vëzhgon rezervat e Arsenalit, quhet Herbert Çapman, tështin dhe është i ftohur nga ndeshja e fundit. Mjeku e ka këshilluar të qëndrojë në shtëpi, por ai është aty në baltë. Pak vite më parë, më 25 gusht 1928, në një ndeshje kundër Shefilldit, Herbert hodhi në fushë lojtarët e Arsenalit me numra në shpinë. Në fakt, të parët që e kanë bërë janë australianët e Sidnei Lishardt dhe Hims Pauerfull në 1911-ën, por vetëm me trajnerin anglez filloi sistemi i numrave natyralë si identifikim i rregullt, sipas roleve të futbollistëve.

Pak muaj pas asaj ndeshjeje, Çapman ndërroi jetë nga pleumonia. Është janar 1934, nazizmi ka marrë fuqinë në Gjermani, depresioni i madh në Shtetet e Bashkuara “kurohet” me ekonomistë dhe psikologë, në Asturia zhvillohet kryengritja anarko-komuniste e minatorëve kundër qeverisë. Pesë vite pas ikjes së Çapman, më në fund “Football Association” dekretoi fillimin zyrtar të numrave të një ekipi, ku 2-shi është mbrojtës i djathtë dhe 11 sulmues i majtë. Identiteti është i qartë, jemi në kohën e fashizmit dhe të komunizmit, të të mirëve dhe të këqijve, të indianëve dhe kaubojsave, edhe numrat bëhen diçka më shumë se numra, janë një princip etik. Kur Pele i ri në Botërorin e 1958-ës e transformoi 10-ën në një mit, gjërat ndryshuan. Në këtë kohë është edhe një tjetër numër 10 legjendar, hungarezi Pushkash, i cili ndryshe nga braziliani, është mëngjarash.

Numrat e futbollistëve kthehen në epoka, si 5-a e Falkaos te Roma, apo 10-a e Maradonës te Napoli. Përjashtim bën 14-a e Krojfit, edhe pse te Barcelona ishte i detyruar të mbante 9-ën, sepse në vitet ’70 rregullorja detyronte numrat progresivë. Mbi disa shpina këta numra thahen dhe kthehen në një stampë për një futbollist, marrin formë dhe figurë, jetë dhe karakter. Janë numrat që bëhen identitet social i një populli, një kombi një qyteti, jo vetëm emri dhe lavdia e një sportisti. Në 1978-ën, mesfushori Ardiles luan me numrin 1, pasi Argjentina e vendos numrat sipas rendit alfabetik, sipas një rregulloreje ushtarake.

Ka kompozime dhe çkompozime në fushë, nga taktika deri tek emrat që nuk ekzistojnë. Rreth një numri krijohen zjarre, tregime, legjenda, 10-a e Totit transformohet në Roma, 7-a e Garrinçës sot është diçka humane më shumë se historia e një vendi, 1-shi i një portieri të paarritshëm si Jashin tregon një erë, atë të kontradiktorëve të viteve ’60, që 900-a i hoqi. Numri në fanellë është topografi e një individi që bëhet kolektiv. Numri 11, në këtë përzjerje, është më pak i famshëm se 7-a, apo 5-a, ndoshta ngaqë vjen pas numrit më të famshëm, 10-ës.

Pastaj në 1995-1996, numrat nuk kanë më një rol, një futbollist mund të zgjedhë në bazë të gustos, të një ekserience, një dëshire, një kapriçoje, modës. Turku Hakan Shukur zgjodhi 54-ën, sepse konsicidonte me numrin e targës së qytetit të tij, Fabio Kualiarela 27-ën në kujtim të Nikolo Galit që vd iq në 2001-n dhe ishte shok skuadre me të te të rinjtë. Ka edhe nga ata që preferojnë datën e lindjes të tyre apo të gruas, disa të tjerë për admirim të një lojtari të vjetër apo një ikone planetare si Majkëll Xhjordan. Gjithçka ka të bëjë me intimitetin, historinë personale në shpinë që vjen nga egocentrizmi i Faceboook-ut dhe Instagramit.

Përgatiti: Fatjon Rupi