Ministrja për marrëdhëniet me parlamentin, Elisa Spiropali ka folur në A2 në lidhje me rezultatet e deritanishme të arritura nga Partia Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit. Sipas Spiropalit, qytetarët votuan me mençuri për të ardhmen e tyre dhe për të ecur përpara.

“Një mandat historik i është besuar Edi Ramës dhe PS. Shqiptarët janë treguar të mençur kanë zgjedhur rrugën e të ardhmes së fëmijëve të tyre dhe të mos bëjnë pas. Edi Rama ka realizuar një detyrë historike. Sot nuk kanë fituar vetëm socialistët. Sot fitoi Shqipëria. Kemi marrë 4000 vota më shumë dhe në bashkinë e Kamzës pasi ne nuk e kemi uzurpuar atë vend”, tha Spiropali.

Më tej, ministrja Spiropali komentoi dhe deklaratën e parë të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke thënë se ai të paktën duhet të pranonte përgjegjësinë për rezultatin.

“Keqardhje që Lulzim Basha nuk u ngrit në nivelin e fushatës që ka bërë. Ai bëri një fushatë të mirë kishte disa kandidatë të mirë. Shpalosën alternativa, por me këtë deklaratë u kthye në traditën e vjetër të PD për të mos njohur humbjen. Lulzim Basha duhet të pranonte përgjegjësinë për rezultatin”, përfundoi Spiropali.