Zëvendës drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj ka folur në “Top Talk” për ngjarjen e fundit të ndodhur në Elbasan duke thënë se kanë marrë masat që të mos përsëritet.
Dervishaj tha Xhelal Mziu është dërguar për ndjekje penale pasi tha se strukturat e mbrojtjes së votës në PD do veprojnë njësoj si në Elbasan nëse konstatohen raste të shitblerjes së votës.
Albert Dervishaj: Ngjarja e Elbasanit është një rrethanë e re që në kushtet e një shteti ligjor dhe juridik nuk duhet të funksionojë dhe nuk duhet të jetë në këtë këndvështrim të forcave të ndryshme politike apo të individëve të ndryshëm brenda forcave politike.
Kjo është një organizëm krejtësisht arbitrar, një ndërtim strukturor me strukturat e sigurisë dhe as ligji për policinë e shtetit dhe as kodi zgjedhor nuk lejon krijimin e forcave të tilla paralele apo grupeve të gatshme për të bërë një detyrim që ka policia e shtetit.
Policia e Shtetit është e depolitizuar. Ne kemi treguar që të gjitha konstatimet që kanë të bëjnë me vepra penale në cenim të integritetit të zgjedhjeve dhe që prekin sistemin demokratik të zgjedhjeve apo ata që merren me shitblerjen e votës janë vënë para përgjegjësisë ligjore pa hezitim.