Soni Malaj mori sërish pjesë në “Kënga Magjike” me një baladë të punuar nga “Three Dots”. Ky bashkëpunim i saj me labelin në fjalë i habiti të gjithë, duke qenë se “Three Dots” drejtohet nga Flori Mumajesi, me të cilin Soni ka pasur një histori dashurie. Kënga e Sonit mban titullin “Versioni im” dhe flet për një lidhje toksike, ku vajza jep gjithçka për partnerin, por nuk merr asgjë prej tij.
Për të folur në lidhje me këtë projekt të ri, Soni ishte e ftuar sot në emisionin “Rudina”. Këngëtarja tha se kur dëgjoi në fillim këngën në studion e “Three Dots” u përlot dhe aty vendosi që të merrte pjesë në “Kënga Magjike” me të.
“Ajo që më goditi ishte teksti, për mua kanë shumë rëndësi tekstet, më pëlqeu që ishte një këngë që fliste për një lidhje toksike, pavarësisht se ishte një lidhje që kishte nisur nga një dashuri shumë e madhe, por njëra palë mundohet ta mbajë më shumë sesa pala tjetër. Ndonjëherë këto marrëdhëniet e dashurisë që merren pastaj të mirëqena dhe për njërin nga partnerët bëhet shumë e lodhshme për ta mbajtur. Më pëlqeu, ishte shumë e bukur”, tha Soni.
Gjatë bisedës ajo u pyet edhe për partnerin e saj, Klevin, me të cilin ajo ka 6 vite në lidhje. Mirëpo me gjithë këmbënguljen e Rudina Magjistarit për të mësuar diçka për Klevin dhe se si e priti ai këngën, Soni refuzoi të përgjigjej. Ndonëse moderatorja e pyeste gjithmonë për Klevin, Soni përgjigjej për familjen e saj dhe nuk e përmendi partnerin, gjë që ngre dyshimet se ajo mund t’i ketë dhënë fund marrëdhënies me të. Soni tha se nuk dëshiron të flasë për jetën e saj private, teksa theksoi se biseda duhej të fokusohej vetëm tek kënga e saj.
Edhe gazeta “Panorama” raportoi para disa ditësh se Soni Malaj po kalon një krizë me partnerin e saj. Megjithatë burimet e gazetës thanë se ky mund të jetë thjesht një “pushim” i shkurtër i dyshes për të kuptuar se ku qëndron lidhja e tyre, por se ç’po ndodh realisht mes dyshes askush nuk e di.