Mbretëresha Elizabeth, sot mbush 95-vjeç, por nuk do të ketë festime publike pasi disa ditë më parë ajo i dha lamtumirën e fundit bashkëshortit të saj Princit Philip. Princi Philip, i cili u martua me Elizabeth në 1947, vdiq më 9 prill në moshën 99-vjeçare. Familja mbretërore i bëri nderimet e fundit patriarkut të familjes në varrimin e tij të shtunën në Windsor Castle.
Për shkak të kufizimeve të Covid-19, mbretëresha u ul e vetme gjatë shërbimit të princit Philip, të cilin ajo e ka përshkruar si “forca dhe qëndresa” e saj. Elizabeth, e cila është monarkja më e vjetër në të gjithë botën, do të qëndrojë në kështjellë për ditëlindjen e saj, e cila tradicionalisht festohet me pak ceremoni.
Sidoqoftë këtë vit, me mbretërit që do të jenë dy javë në zi, nuk do të ketë përshëndetje me armë nga Kulla e Londrës dhe as në parkun Hyde të kryeqytetit ku zakonisht festohet ditëlindja e mbretëreshës. Sot është ditëlindja e saj e vërtetë, ndërsa ajo zyrtare festohet gjithmonë të shtunën e dytë të qershorit dhe shoqërohet me festime të mëdha.
Elizabeth, e cila lindi në 21 prill 1926, në Bruton Street, në Londrën Qendrore, u rrit duke mos pritur të bëhej mbretëreshë. Babai i saj, George VI, mori kurorën vetëm kur vëllai i tij i madh Edward VIII abdikoi në 1936 për t’u martuar me të divorcuarin ameriken Wallis Simpson.
Ajo u ngjit në fron në 1952 në moshën 25-vjeçare dhe tejkaloi stër-gjyshen e saj Mbretëresha Victoria si monarku me mbretërinë më të gjatë në Britani në shtator 2015. Elizabeth është gjithashtu mbretëresha e 15 ish-kolonive britanike duke përfshirë Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re.