Partia Demokratike, e cila si gjithmonë shkaqet e humbjes i gjen gjithmonë larg vetes, edhe këtë herë ka nisur të gjuajë majtas e djathtas. Siç bënte Berisha në 2001 që sulmoi Ilirjan Celibashin me shprehjen “celibashsubash”, edhe njerëz të PD-së dhe vetë Lulzim Basha, kanë sulmuar komisionerin Shtetëror të KQZ-së, duke e akuzuar se hapi qëllimisht kutitë e bastioneve të PS në fillim, për fshehje të rezultatit të pjesëmarrjes në votime e të tjera yçkla.

Por pak muaj më parë, ishte vetë PD që përzgjodhi dhe preferoi Ilirjan Celibashin si kryetar i KQZ-së, në vend të ish-zv.kryeministrit dhe ministrit të qeverisë “Berisha”, Ilir Rusmali, i cili u propozua nga mazhoranca, për t’i bërë favor PD-së.

Berisha, duket vendosi veton, pasi Rusmali nuk pranoi që në kohën kur ishte në qeveri, të miratonte ndërtimin e fabrikës së municioneve në Gërdec. Ndaj edhe këtë rast preferoi Celibashin, edhe pse e kishte sulmuar para 2005-s. Kjo, edhe nga lidhja e afërt familjare që Celibashi ka me Fatmir Mediun, të cilin e ka kunat.

Gazeta TemA