Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja pa nga afër punën që po kryhet për rehabilitimin e lulishtes qëndrore të qytetit të Elbasanit.
Në fjalën e tij Balla theksoi se ky është një projekt mjaft i rëndësishëm, i cili do ta transformojë qendrën e qytetit të Elbasanit.
“Tani duhet ti rikthehemi punëve me intensitet për ta bërë Elbasanin siç kemi thënë: “Elbasani i Bukur Elbasan”, tha Balla.
Ky projekt po zhvillohet përgjatë bulevardit “Aqif Pasha”, pozicionuar ndërmjet xhamisë së Ballies dhe teatrit “Skampa”.
Zona ku parashikohet ndërhyrja konsiston në trajtimin e hapësirave publike në zonë urbane me elementë të rëndësishëm arkitektonik bashkëkohorë.
Synimi i këtij projekti është ofrimi i hapësirave të përshtatshme urbane për evente artistiko-kulturore, në shërbim të qytetit dhe komunitetit të tij, si dhe kthimi i sheshit në hapësirë të gjelbër rekreative dhe shesh kryesor, si lulishtja qendrore e qytetit të Elbasanit.