Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka falenderuar të gjithë ata që e kanë votuar në zgjedhjet e 25 prillit, duke bërë që ai të thyejë herësin e partisë.
I renditur në listë jo fituese, përkatësisht në vendin e 23, ku PS arriti të fitonte 18 mandate në Tiranë, Xhafaj do të jetë në parlamentin e ri, pasi ka grumbulluar një numër të madh votash.
“Në pamundësi për t’ju takuar dhe përshëndetur të gjithëve në këto momente dhe me dëshirën për tu parë e përqafuar së shpejti ju them: Faleminderit! Mirënjohje pafund! Familjes sime të mrekullueshme që ishte pjesë e kësaj beteje dhe miqve tanë të shumtë që si përherë ndër vite u gjendën pranë nesh dhe na mbështetën me zemër në rrugëtimin tonë. Shifrat tashmë publike konfirmojnë se e kam kaluar pragun minimal për të qënë deputet në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Shqipërisë. Së bashku me ekipin e fushatës jemi duke monitoruar përfundimin e procesit të numërimit për të respektuar çdo votë në kutitë e votimit”, shkruan Xhafaj.