Një punë e jashtëzakonshme, një njeri që mishëronte një brez, i cili përfaqësonte Britaninë e Madhe me dinjitet, një njeri largpamës, me vendosmëri dhe guxim, homazhe për Princin Philip u derdhën nga e gjithë bota pas njoftimit të vdekjes së tij.
Boris Johnson
“Jemi në zi… Kombi dhe mbretëria ofrojnë falënderimet e tyre për jetën dhe punën e jashtëzakonshme të Princit Philip, Dukës së Edimburgut”, tha kreu i qeverisë jashtë Downing Street.
Toni Blaire
“Princi, natyrisht, do të njihet veçanërisht për mbështetjen e tij të jashtëzakonshme dhe të palëkundur për Mbretëreshën për kaq shumë vite. Megjithatë, ai duhet të përshëndetet dhe të kremtohet në të drejtën e tij si një njeri largpamës, me vendosmëri dhe guxim, që shpesh ishin përpara kohës së tij”.
George W. Bush
“Gjatë gjithë jetës së tij të gjatë dhe të shquar, ai iu përkushtua çështjeve fisnike dhe të tjerëve. Ai përfaqësoi Britaninë e Madhe me dinjitet dhe i solli forcë dhe mbështetje të pakufishme kurorës britanike”, vlerësoi ish-presidenti në një deklaratë.
Scott Morrison
“Një njeri i cili mishëronte një brez që nuk do ta shohim më kurrë”, tha kryeministri autralian.
Narendra Modi
“Ai pati një karrierë të jashtëzakonshme në ushtri dhe ishte në ballë të shumë iniciativave shoqërore”, tha nga ana e tij kryeministri i Indisë.
Angela Merkel
“Miqësia e tij për Gjermaninë, sinqeriteti dhe ndjenja e tij e detyrës mbeten të paharrueshme”, shkroi në Twitter Ulrike Demmer në emër të kancelares gjermane.
Benjamin Netanyahu
“Princi Philip do t’i mungojë shumë Izraelit dhe të gjithë botës”, shkroi kryeministri izraelit në Twitter.
Andrzej Duda
“Princi Philip ishte një nga simbolet e Kurorës Britanike, të cilës ai i shërbeu me besnikëri për kaq shumë vite”, shkroi ai në një deklaratë në internet.
Vladimir Putin
“Princi Philip ishte një personalitet historik. Shumë ngjarje të rëndësishme në historinë e fundit të vendit tuaj janë të lidhura me emrin e lartësisë së tij mbretërore. Ai gëzoi me meritë respektin e britanikëve dhe komunitetit ndërkombëtar”, shkroi Putini në telegramin e tij të ngushëllimit për mbretëreshën britanike Elizabeth II.
Justin Trudeau
“Princi Philip ishte një njeri me bindje dhe parim, i drejtuar nga ndjenja e tij e detyrës ndaj të tjerëve”, tha kryeministri kanadez pas vdekjes së bashkëshortit të Mbretëreshës Elizabeth II.
Emmanuel Macron
“Princi Philip pati një jetë shembullore, të shënuar nga guximi, ndjenja e detyrës dhe përkushtimit ndaj rinisë dhe mjedisit”, shkroi në Twitter presidenti francez.
Duka dhe Dukesha e Sussex
“Me dashuri për Lartmadhërinë e Tij Mbretërore, Duka i Edinburgut, 1921-2021. Faleminderit për shërbimin tuaj … Do të na mungoni shumë”, shkruajti Princ Harry dhe bashkëshortja e tij, Meghan në një mesazh.
Donald Trump
“Bota është në zi pas vdekjes së Princit Philip, një njeri që mishëronte shpirtin fisnik dhe krenar të Britanisë së Madhe dhe Komonuelthit”, shkroi ish-presidenti amerikan në një deklaratë.
“Kjo është një humbje e pazëvendësueshme për Britaninë dhe për të gjithë ata që kujdesen për civilizimin tonë”, shtoi ai.