Kandidatja e PS-së, Ermonela Felaj Valikaj deklaroi sot se biznesi i vogël deri në vitin 2029 nuk do të ketë asnjë lloj detyrimi ndaj shtetit
Në një komunikim me qytetarët, Valikaj u shpreh se në 8 vite qeverisje kemi ofruar shumë për biznesin. “Mbi të gjitha kemi ofruar një klimë të lirë të të bërit biznes”, tha ajo.
“Në këtë një vit e gjysmë të pandemisë biznesi është prekur, pandemia e ka impaktuar biznesin, ka impaktuar sa punëdhënësit aq edhe punëmarrësit. Në momentin aktual garancia më e madhe qe në u ofrojmë atyre është procesi i vaksinimit”, tha ajo.
Në vijim, Valika tha se jo më larg se dje Kryeministri bëri me dije se fushata e vaksinimit do vijojë me vaksinimin e të gjithë punonjësve që janë të përfshirë në industrinë fason, dhe besoj se kjo do vazhdojë edhe në kompani të tjera që nuk janë të këtij specialiteti, pra nuk janë fasonë, por janë kompani prodhuese apo veprojnë në fusha të tjera të ekonomisë
“Është shumë e rëndësishme në fakt. Unë kam patur rastin gjatë këtyre ditëve të jem në disa biznese dhe i kuptoj drejt shqetësimet e tyre, por më lejoni ta ndaj si një lajm të mirë. Punonjësit do të vaksinohen dhe biznesi do të jetë në mundësitë për t’u rikthyer në kushte normale të punës, në kapacitetet e plota të punëmarrësve të vet dhe do të ketë po ashtu mundësinë të kthehet në kontratat e dikurshme. Është shumë e rëndësishme kjo për ata për punonjësit dhe ekonominë kombëtare”, tha ajo.
Po ashtu, Valika tha se ne kemi premtuar se biznesi i vogël deri në vitin 2029 nuk do të ketë asnjë lloj detyrimi ndaj shtetit, do paguaj vetëm sigurime shëndetësore dhe sigurime shoqërore.
“Po ashtu edhe për biznesin e madh ne i ofruam garanci. Ne vijimësi ne i kemi dëgjuar, i kemi konsideruar dhe i konsiderojmë po aq të rëndësishëm sa janë në kontributin që ata japin në buxhetin e shteti. Unë jam këtu për të konfirmuar edhe një herë se nëse biznesi i madh vazhdon të ketë pengesa dhe burokraci në zyrat e doganave ne do të jemi të vëmendshëm për ta korrigjuar këtë sjellje në favor të biznesit dhe në favor të ligjit. Sistemi i referencës ndoshta duhet riparë dhe rivlerësuar në kohën kur ne i kemi dhënë një rëndësi të veçantë digjitalizimit”, theksoi ajo.
“Nga 12 shërbime që i gjetëm të digjitaliszuar sot kemi 1200. Të gjitha vendet përreth kanë bërë një revolucion digjital në fushën e ekonomisë, në komunikimin mes zyrave të ndryshme doganore. Ato që kemi këtu dhe ato që kemi përtej detit dhe është e rëndësishme se gjithë kjo sjellje e re dhe moderne që bëhet me synimin për të ulur korrupsionin, për ta goditur korrupsionin”, vijoi Valika.
“Unë i përkas një force politike që është e vëmendshme, e cila merr përsipër të korrigjojë gjera, dhe jam besimplotë që PS në këtë mandat do ketë mundësinë të shikojë dhe këtë pikë që është pikë kritike në raport me biznesit, dhe ne t’i japim biznesit të madh të gjitha garancitë që të punojë lirshëm”, tha Felaj.