Sot vijon dita e dytë e vaksinimit të efektivëve të policisë në të gjithë vendin. Në Tiranë efektivët e policisë vaksinohen në stadiumin “Air Albania”, ndërsa procesi po kryhet me vaksinën kineze Sinovac. Ndërkohë që procesi i vaksinimit masiv në të gjithë vendin vijon për moshat +70 vjeç në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit dhe pikat e ngritur për kryerjen e tyre.

Sot shënohet dita e 8 e vaksinimit masiv në Shqipëri, ku në 24 orët e fundit janë kryer 13.010 vaksinime, ndërsa në total, dhe që nga nisja e procesit të vaksinimit nga 11 janari, në vendin tonë janë kryer 185.496 vaksinime.

Vaksinimi në vendin tonë nisi me bluzat e bardha, arsimtarët, të moshuarit mbi 70 vjeç, gazetarët dhe operatorët e terrenit dhe efektivët e policisë. Qeveria shqiptare ka siguruar deri më tani vaksinat Pfizer, AstraZeneca, ajo ruse Sputnik dhe ajo kineze Sinovac. Autoritetet kanë bërë me dije se objektivi është që brenda majit të jenë vaksinuar gjysmë milioni shqiptarë, ndërsa ministrja Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se shumë shpejt do të vaksinohen moshat mbi 60-vjeç.

Deri tani nga vaksinimi me vaksinën kineze Sivonac por dhe me atë AstraZeneca nuk ka pasur efekte anësore problematike, por vetëm disa raste me temperaturë të lehët apo pak dhimbje në vendin e vaksinimit.