Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku fushatën e saj për zgjedhjet e 25 Prillit po e zhvillon në Kombinat, një prej zonave më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, njëherësh dhe drejtues politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, gjatë një takimi prezantues të saj me banorët e Njësisë 6 u shpreh se edhe pse ka një prej portofoleve më të vështira në kabinetin qeverisës, Belinda po përballet edhe me një prej zonave më sfiduese, sa i takon procesit të rindërtimit.
“Jam shumë krenar për Belindën dhe besoj që kemi sjellë gocën tonë më të mirë në Kombinat, sepse është edhe puna më e vështirë. Është dhe sfida më e madhe. Ka një nga portofolet më të vështira në qeverinë tonë, do të duhet të përballet me sfida që nuk janë të lehta, por nëse nuk do e besoja nuk do e thoja, kemi njeriun më të mirë për sfidën më të madhe në të gjithë territorin e Tiranës, që është zona e Kombinatit,” tha Veliaj. Balluku ka shpjeguar banorët se si do të jetë lagjja e re e projektuar në Programin e Rindërtimit, e cila do të marrë emrin “Kombinart”. “Këtë lagje e ka projektuar Marco Casamonti, një nga arkitektët më të njohur në botë, i cili ka bërë dhe dizajnin e stadiumit “Qemal Stafa” dhe të Aeroportit të Vlorës. Do jetë qyteti i ëndrrave, por mbi të gjitha ai do jetë streha më e re dhe më moderne e familjeve të cilat kanë humbur shtëpitë nga tërmeti,” tha Balluku, duke veçuar faktin ende jo shumë njohur të ngritjes edhe të dy objekteve të reja të kultit. “Kemi menduar edhe për një xhami të re në lagjen e Kombinatit. E kemi diskutuar edhe më gjerë me komunitetin mysliman dhe është përfshirë brenda projektit të Casamontit. Në ditët në vazhdim edhe vetë imamët këtu në Kombinat do kenë mundësi që ta bëjnë publike këtë vepër,” tha ajo.
Ministrja i është përgjigjur edhe një prej shqetësimeve të ngritura shpesh sa i takon ndërtimeve të reja, të cilat banorët kanë kërkuar që të jenë në po ato pozicione ku po shemben pallatet e dëmtuara nga tërmeti. “Është një debat i nxitur edhe nga politika. Arsyeja pse po spostohemi me ndërtimet e reja është se disa pallate ndodhen në një formacion gjeologjik të paqëndrueshëm dhe këtë duhet ta kuptojmë pasi është shumë e rëndësishme. Nëse nuk po ndërtojmë në të njëjtat pozicione pallate në Kombinat, por kemi vendosur që të zhvillojmë këtë polin e ri të “Kombinart” është për shkak se ato pozicione kanë një reliev gjeologjik të paqëndrueshëm,” shpjegoi Balluku.