Në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Erion Veliaj njoftoi tre projektet që pritet të nisin së shpejti, dhe fjala është për kampusin e ri universitar, ndërtimin e Universitetit të Arteve dhe ndërtimin e Akademisë së Policisë.
“Do fillojmë projektimin me detaje të kampusit të Universitetit të Tiranës në Qytetin Studenti. Dy projektet e tjera për të cilat financohemi është ndërtimi i Universitetit të Arteve dhe ndërtimi i Akademisë së Policisë – të treja projekte që i janë besuar Bashkisë së Tiranës për fazën e detajimit dhe pastaj do të vazhdojmë me fazën e ndërtimit”, sqaroi Veliaj.
Ai tha se ndërkohë vijon puna në Kampusin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku po ndërtohen 8 godina të reja, disa prej të cilave janë drejt përfundimit. Gjithashtu, edhe tek Inxhinieria e Ndërtimit ka mbaruar gjysma e konvikteve dhe është duke përfunduar edhe gjysma tjetër. Ndërkohë, vijon puna për dy godinat tek “Farmacia 10”, mes njësisë 4 dhe 8, ku do të qëndrojnë studentët e Fakultetit të Mjekësisë.