Nga Mero Baze/
Shqipëria është në ditët e saj të mira sa u përket shifrave të pandemisë, por është më e rrezikuar se kurrë nga tre fqinjët e saj, të cilët këtë kohë kanë shifrat e tyre më të këqija. Në krye të fqinjëve problematikë është Greqia, e cila po thyen rekordet e saj të këqija sa i përket numrit të rasteve të infektimeve, dhe sidomos të vdekjeve. Kosova dhe Maqedonia po ashtu. Por rreziku real i këtyre dy javëve në vijim janë dy zhvillime që mund të na rrezikojnë.
E para, është afrimi Pashkës Ortodokse në fillim të majit. Greqia me sa duket nuk ka për të hapur vendin derisa të kalojnë Pashkët dhe shumë shqiptarë planifikojnë të vijnë në Shqipëri.
E dyta, vjen nga Kosova dhe fundjavat e qytetarëve të Kosovës që vërshojnë drejt Shqipërisë, për shkak të masave kaotike të mbylljes që ka marrë qeveria aty. Javën që shkoi 30 mijë qytetarë të Kosovës erdhën në bregdetin shqiptar, duke qenë të gjithë frekuentues hotelesh dhe restorantesh.
Nga pikëpamja ekonomke kjo është një gjë pozitive, por po të llogarisësh dhe vërshimin që mund të kemi për Pashkët nga Greqia, vendi rrezikon të humbas shifrat e mira që ka aktualisht dhe të hyjmë në një valë të re pandemie. Edhe pse më pak, por dhe nga Maqedonia ekziston ky rrezik. Për këtë do të ishte normale, që Komiteti i Ekspertëve, të shikonte mundësinë që së paku deri pas Pashkëve, pra deri më 2 maj, të vendoste kufizime për ardhje të shqiptarëve nga Greqia për Pashkët, dhe turistët e fundjavës nga Kosova dhe Maqedonia të kufizohen, vetëm për ata që mund të jenë të gatshëm të karantinohen në Shqipëri.
Kjo, së paku derisa qeveria aty të marrë nën kontroll situatën dhe t’i kushtojë më shumë rëndësi vaksinimit dhe masave anticovid, se sa përndjekjes së gazetarëve që publikojnë kontratat e dështuara të vaksinave. Shqipëria nuk e ka luksin të vuajë një valë të re infektimi nga tre vendet fqinje, për shkak të kontrastit të fortë që kanë shifrat në Shqipëri me fqinjët. Greqia ka qenë rigoroze dhe e vendosur prej një viti, të mbajë nën kufizime të rrepta lëvizjet e qytetarëve të Shqipërisë drejt Greqisë, të mos shkojnë atje, edhe pse për disa kohë nuk përbëjmë rrezik infektimi me shifrat që kemi. Por kjo është politikë e tyre dhe nuk mund t’i gjykojmë.
Tani që ata kanë shifrat më të zeza të historisë së pandemisë, ne duhet të mbrohemi nga qytetarët shqiptarë me banim në Greqi, që rrezikojnë të vijnë këto dy javë në Shqipëri për festën e Pashkëve, aq shumë popullore sidomos në Greqi. Ndaj mundësia e rishikimit të kufizime me Greqinë, Kosovën dhe Maqedonië, së paku për dy, ose tre javë, derisa shifrat në vendet fqinje të fillojnë të bien, do të ishte shumë logjike.
Edhe kështu ne presim të përkeqësohen shfirat për shkak të fushatës elektorale, nga tubimet primitive pa maska dhe distancë, siç ka ndodhur në Mal të Zi, apo Kosovë, dhe po t’i shtojmë kësaj dhe ardhjen nga Greqia, Kosova e Maqedonia, të qytetarëve që duan t’u ikin masave shtrënguese në vendin e tyre, mund të rifillojmë nga e para, duke hedhur në erë gjithë punën që është bërë deri më sot, me uljen e shifrave dhe vaksinimin masiv të popullsisë. Duke qenë një ekonomi thuajse e hapur, ekonomia shqiptare e ka më lehtë të përballojë mungesë turistësh për tre javë, se sa një valë të re e cila mund të na detyrojë të shkojmë në mbyllje në prag të sezonit turistik, duke shkatërruar gjithçka. Grafiku i Shqipërisë, krahasuar me vendet fqinje, sot është më i miri, por ai mund të kthehet kokëposhtë shumë shpejt, nëse injorohet fakti që virusin e kemi tek porta e hapur dhe mund të hyjë pa trokitur.