“Në orët në vijim PS do të ketë edhe mandatin e 19-të në Tiranë. Këtë optimizëm shfaqi në studion e A2 CNN nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbi Mazniku, referuar të dhënave të deritanishme në bazë të numërimit të votave.
“Mandati 74, mandati i Durrësit është i sigurt për PS dhe në orët në vijim do të kemi edhe mandatin e 19-të në Tiranë për ta çuar në total 75. Diferenca është e vogël dhe do vazhdojmë të ruajmë epërsinë , në çdo njësi PS është forcë e parë dhe besoj që do kemi mundësi të fitojmë mandatin e 19-të. Ne kemi edhe 30% të Tiranës për numërim, por besojmë që duhet të përmirësojmë rezultatin me 700-800 vota. PS ka tashmë 18 mandate dhe 90% të votave të mandatit të 19. PS në bashkinë e Tiranës ka marrë 180 mijë vota dhe do jetë forcë e parë dhe kjo është e mjaftueshme dhe me diferencë nga forcat e tjera”.
Mazniku u shpreh se ka gjasa që numrat e rrezikuar në listën e PS, të thyejnë atë, kur u pyet se a ka gjasa që numrat e rrezikuar si Pandeli Majko të thyejnë herësin. Por ai nuk tha se cili nga kandidatët do ta thyejë atë.
“Kjo është një gjë që i mbetet pjesës së dytë të numërimit, që është numërimi i kandidatëve. Ka gjasa që disa kandidatë ta thyejnë listën dhe ta rendisin atë, por nuk mund të them se cilët. Nuk jemi marrë fare me votat e kandidatëve, por me votën e PS dhe fitoren e saj, por nuk kemi të dhëna për këtë”.
Ai cilësoi fitoren në këto zgjedhje një besim për qeverinë dhe angazhim për qytetarët, të cilët sipas tij vlerësuan punën e qeverisë në këto 8 vite.
“Është një votë besimi për qeverinë, kanë vlerësuar punë e qeverisë dhe punën e bërë në këto 8 vite dhe e dinë kush është lideri që duhet të udhëheqë Shqipërinë. Dhe në fushatë e zgjedhje PS tregoi karakter, forcë dhe organizim që janë vlera që i duhen Shqipërisë dhe qytetarët e kanë lexuar shumë qartë”.