Kadastra Shqiptare, bën të ditur se “janë gati 100.000 familje që kanë marrë lejen e legalizimit përgjatë këtij 4-vjeçari, ku rekordin e mban viti 2018 me 30.000 legalizime”. Në një njoftim për shtyp, Kadastra Shqiptare sqaron se “në përgjigje të fjalëve që, me demek gjatë fushatës zgjedhore Kadastra Shqiptare ka qenë në shërbim të fushatës, duke “blerë” vota me lejet e legalizimit, po publikojmë për transparencë grafikun e legalizimeve për gjithë mandatin qeverisës që sapo u mbyll 2017-2021. Ku shihet fare lehtë që nuk ka ndonjë shumëfishim të legalizimeve në muajt e fundit para votimeve, thjesht duket që Kadastra ka qenë në shërbim të qytetarëve në çdo kohë, madje edhe në kohën e pandemisë”.

Kadastra thekson se, “viti 2019, shënon numrin më të ulët të lejeve të legalizimit me rreth 12.000 të tilla”. Sipas Kadastrës, “ky fakt, ka shpjegimin e vet. Në fillim të vitit 2019, u bë një eksperiment (që rezultoi i pasuksesshëm) që të lidhej pagesa e taksës së infrastrukturës me dhënien e lejes së legalizimit. Në vitin 2020, ky ndryshim ligjor në ligjin e taksave vendore u anulua dhe ritmi i legalizimeve u rikthye në ritmin e mëparshëm, me rreth 25.000 legalizime në vit, ritëm që po mbahet edhe në vitin 2021”. “Votat nuk fitohen duke shitur legalizimet muajin e fundit, por duke punuar ditë pas dite. Ndaj, nëse i futemi analizës së grafikut, duket se Kadastra ka punuar katër vite për qytetarët dhe jo veç një muaj në fund për Partinë Socialiste”- thekson njoftimi i Kadastrës Shqiptare.