Në rang klubi, pak gëzime janë të krahasueshme me fitimin e Ligës së Kampionëve. Nuk është e lehtë, pyesni Manchester City ose PSG, në një betejë të vazhdueshme me kompeticionin maksimal kontinental, që kur ‘petrodollarët’ e sheikëve nga Katari i kthyen projektet e tyre në titanë të Europës. Chelsea, një ekip tjetër i formatuar nga shuma të mëdha parash, ka shfrytëzuar një mundësi të artë. Triumfi i Tuchel, i tifozëve blu, i futbollit fizik dhe vertikal kundër posedimit dhe talentit të pastër të ‘qytetarëve’. Një specialist i vërtetë për të fituar finalet e Champions-it, pa luajtur thuajse fare, është Mateo Kovacic.
Kroati mund të mburret me një arritje të vështirë për t’u krahasuar, duke pasur katër “kupa veshëgjatë” si rekordin e tij të veçantë me vetëm 17 minuta lojë në finalet përkatëse. Efikasitet total. Të parët, siç duhet ta dinë shumë, ishin me trajner Zidane te “Los Blancos”. Kovacic mbërriti te Real Madridi nga Interi më 2015 dhe shërbeu si “hajmali”. Në tre sezone në “Bernabeu”, kroati festoi Championsin e 11-të, 12-të dhe të 13-të të madrilenëve. Me largimin e tij, flaka e triumfit europian u shua. Sigurisht, në asnjë nga tri finalet e “Los Blancos”, ai nuk luajti asnjë minutë.
Në sezonin 2015-2016, të bardhët mundën Atletico Madridin pas gjuajtjeve të penalltive, ku mesfushori nuk mori pjesë. Për më tepër, ai nuk ishte as pjesë e skuadrës së grumbulluar, por i përcolli shokët e tij të skuadrës nga tribunat. Sidoqoftë, 339 minutat e tij të shpërndara në 8 ndeshje Champions-i të atij sezoni i dhanë medaljen e kampionit. Një vit më vonë bëri një hap para, ishte në stol në finale, vend që nuk do ta braktiste në fitoren ndaj Juventusit (1-4) në Cardiff. Sezoni i tij i fundit në kryeqytetin spanjoll u mbyll në Kiev, në finalen kundër Liverpool. Përsëri në stol dhe përsëri pa aktivizim, por me medalje kampioni europian.
Pastaj, Kovacic do të largohej drejt Londrës. Te Chelsea ka qenë shumë më i rëndësishëm sesa në Madrid dhe për pjesën më të madhe të këtij sezoni ka luajtur titullar. Përpara edhe një N’Golo Kanté, që e përfundoi vitin si MVP. Kur mbërriti beteja e fundit kundër Manchester City, kroati pa se si emri i tij u shfaq në listën e zëvendësuesve. Kovacic u hodh në fushë në minutën e 80-të, në përpjekje për të forcuar qendrën e fushës, si kundërveprim ndaj të besuarve të Guardiola. Dhe pati sukses. Ato 10 minutat e fundit të kohës së rregullt, plus 7 minuta të kohës shtesë përbëjnë 17 minutat e tij të para në finalet e Ligës së Kampionëve. 17 minuta, 4 finale dhe 4 tituj. Statistikë e jashtëzakonshme.