Shqyrtimi i materialeve zgjedhore për 24 kutitë e votimit të qarkut të Beratit për të gjetur parregullsi me kërkesë të LSI-së është mbyllur, ndërsa përgjigja përfundimtare pritet të jepet të mërkurën.
Sipas gazetares së Top Channel, Kristi Gongo, në 4 prej tyre ka pasur mungesë të dokumentacioneve. Ende nuk ka një vendimmarrje për pavlefshmërinë e votave, ndërsa përfaqësuesit kërkojnë kohë për shqyrtimin e procesverbaleve deri mëngjesin e së mërkurës.
Pas shqyrtimit të kutisë për Qendrën e Votimit 3275, KZAZ 65 rezulton se ka pasur një tentativë për votim të dyfishtë dhe mungon raporti i mbylljes së pajisjes së identifikimit elektronik.
Pas shqyrtimit të kutisë për Qendrën e Votimit 3431, KZAZ 66 rezulton se raporti i i mbylljes së pajisjes së identifikimit elektronik mungon, gjithashtu mungon në kuti vendim gjykate për zgjedhësit që kanë votuar.
Pas shqyrtimit të kutisë për Qendrën e Votimit 3446, KZAZ 66 rezulton se nuk gjendet në kuti manuali zgjedhor, procesverbali nga QV për kalimin në proces të votimit manual.
Pas shqyrtimit të kutisë për Qendrën e Votimit 3445, KZAZ 66 rezulton se mungon raporti i hapjes dhe i mbylljes së procesit së pajisjes së identifikimit elektronik.
Hapja e kutive u realizua për të marrë në cilësinë e provës së materialeve zgjedhore procesverbalet e votimit, raportin e pajisjes së identifikimit elektronik dhe regjistrin e zgjedhësve me nënshkrimet.
Në proces janë përfshirë: QV 3446, QV 3431, QV 3445, QV 3318, QV 3275, QV 3270, QV 3287, QV 3307, QV 3472, QV 3473, QV 3482, QV 3325, QV 3456, QV 3440, QV 3330, QV 3220, QV 3433, QV 3328, QV 3429/1, QV 3518, QV 351, QV 3501, QV 3416.
Të pranishëm në shqyrtim ishin anëtarët e KAS, grupet e numërimit, gazetarët dhe operatorët.
Në përfundim të shqyrtimit të materialeve, përfaqësuesi i PS ka kundërshtuar opozitën dhe kërkon që vendimi për Beratin të shpallet ditën e nesërme. Por KAS i ka lënë kohë deri të mërkurën subjekteve zgjedhore për shqyrtimin e procesverbaleve të mbajtura nga administrata e KQZ për qarkun e Beratit. KAS do të mblidhet nesër për Gjirokastrën, ndërsa pritet të nisë shqyrtimi edhe për qarkun e Vlorës.
Për qarkun e Gjirokastrës, nga rezultatet e procesit të kryqësimit të të dhënave daktiloskopike rezulton se janë 73 raste të dyshimta në 21 qendra votimi:
-2 raste ku i njëjti person është identifikuar dy herë, përkatësisht në dy QV të ndryshme,
-12 shenja gishtërinjsh (secila shenjë është unike) të përdorura si nënshkrim biometrik për identifikimin e 70 zgjedhësve.
Ndërsa për qarkun e Beratit janë identifikuar 57 raste të dyshimta:
-2 raste ku i njëjti person është identifikuar dy herë, përkatësisht në dy QV të ndryshme,
-19 shenja gishtërinjsh (secila shenjë është unike) të përdorura si nënshkrim biometrik për identifikimin e 53 zgjedhësve.
Kujtojmë se Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ pranoi vetëm 1 nga 2 ankimimet e LSI dhe e rrëzoi atë të PD-së për rezultatin që u prodhua në zgjedhjet e 25 Prillit në qarkun Berat.
Elvis Cefa relator i këtyre ankimimeve dha detajet e vendimmarrjes së KAS. Në kushtet kur e humbi mandatin për vetëm 77 vota, LSI i kërkoi KAS pavlefshmërinë e zgjedhjeve në 24 qendra votimi qarku Berat e si pasojë përsëritjen e zgjedhjeve.
Ndërsa PD po për qarkun e Beratit kërkonte nga KAS, marrjen e provave shtesë nga SPAK, ndërsa përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso u shpreh i zhgënjyer me këtë vendim dhe paralajmëroi ankimime të mëtejshme duke lënë të nënkuptohet se beteja ligjore e demokratëve do të zhvendoset në Kolegjin Zgjedhor.