Nëse doni të kuptoni fundin e Sali Berishës nesër, mjafton që të shihnit sot, fatin e Adriatik Llallës. Nëse doni që të dini metamorfozën që do pësojë kurba politike e Ilir Metës nesër, shihni pikën ku mbërriti sot, ajo e ish Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës. Nëse doni që të mësoni se si do të jetë e ardhmja e Lulzim Bashës nesër, mjafton që të shihni, sesi do të pozicionohet ai sot, në raport me SHBA.
E gjitha është kaq e thjeshtë. Kjo është përgjigja për kryepytjen që po bëjnë më së shumti shqiptarët, pas vendimit të Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken, për shpalljen e Sali Berishës dhe familjes së tij “non grata” nga SHBA për “akte korrupsioni që minojnë demokracinë!” E nëjta përgjigje është gjithashtu edhe për “aleatët e tij politikë” që “janë pasuruar dhe kanë përfituar” përmes përdorimit të pushtetit.
Pak rëndësi ka se çfarë manovrash do bëjë Sali Berisha, që nisi një “luftë morale” për pastrimin e vetes, nga vendimi zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit. Pak rëndësi ka nëse do e tregojë apo jo faturën financiare dhe kush do ta bëjë pagesën e avokatit të tij francez, për një proces gjyqësor që pretendon se do nisë për këtë çështje në Paris. Pak rëndësi ka se ai nuk përdori as standardin e Tomë Doshit, për të dhënë dorëheqjen, si deputet i Parlamentit të ri.
Pak rëndësi ka nëse Sali Berisha do e përdorë PD si bunker për të mbrojtur veten, duke qenë zyrtarisht brenda saj. Pak rëndësi ka nëse partia që erdhi për herë të parë në pushtet më 1992 me ambasadorin e SHBA krah Sali Berisësh, do i duhet të jetë sot, në luftë përballë aleatit strategjik të shqiptarëve. Pak rëndësi ka se çfarë do bëjë Lulzim Basha në këto kushte, kur ai ka një dhe vetëm një rrugë: Ose të ndahet nga Sali Berisha, ose të futet në luftë bashkë me të, kundër SHBA.
Më e rëndësishme se të gjitha këto, është diçka krejt tjetër, që nuk ka aspak lidhje me fatin personal të Sali Berishës. As me atë të Lulzim Bashës. Ilir Metës. Apo ndonjë tjetri që konsiderohen aleatët politikë të tij në këtë histori. E ajo është, e ardhmja e Shqipërisë, e cila prej mbi një shekulli ka qenë, është e do mbetet e lidhur me SHBA. Kur vjen puna për të zgjedhur mes Sali Berishës dhe SHBA, shqiptarët kanë ditur historikisht ta bëjnë diferencën mes të përkohëshmes e të përjetëshmes. Mes të shkuarës dhe të ardhmes së tyre.
Për ta parë fundin e kësaj përplasje të re, mes protagonistëve shqiptarë të radhës, që kanë zgjedhur ti shpallin luftë Amerikës, mjafton të shihni metamorfozën e Adriatik Llallës. Edhe ish Kryeprokurori dje, edhe shefat e tij politikë sot, po veprojnë njësoj. Edhe ai mbajti konferenca shtypi. Akuzoi Ambasadorin e SHBA. Denoncoi Xhorxh Sorosin se qëndronte prapa lojës që po bëhej kundër tij. U bë simbol i mbrojtjes së sistemit të vjetër të drejtësisë. Doli flamurtari i pengimit me çdo çmim e mjet të ngritjes së institucioneve të reja.
Edhe Adrtiatik Llalla pasi u shpall “non grata” nga sekretari Amerikan i Shtet Rex Tillerson, më 15 shkurt 2018, bëri të njëjtën gjë si Sali Berisha. Pajtoi kompani lobimi në SHBA dhe pagoi me nga 10 mijë euro avokatë, për të kundërshtuar vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Edhe Adriatik Llalla tha se nuk kishte asnjë fakt e provë kundër tij. Edhe ish Kryeprokurori tha se të gjitha çfarë mund të kishin çuar në vendimin që i ndalonte atij dhe familjarëve për të udhëtuar drejt SHBA, ishin sajesa. Shpifje. Trillime.
Por fakti është se sot, pavarësisht se godina e Kuvendit u rrethua nga jashtë dhe gati u dogj ku u shkarkua Adriatik Llalla; salla brenda Parlamentit u gjuajt me kapsolla, tymuese, çizme, vezë, miell e topa letre kur u shkarkua ish Kryeprokurori i Republikës; mandatet e opozitës u dogjën; tempulli demokracisë u braktis; zgjedhjet u çdekretuan e u bojkotuan,- reforma në drejtësi që ka nisur SHBA dhe BE me shqiptarët, eci dhe tani është ngritur plotësisht në këmbë.
Adriatik Llalla sot ishte në sallën e drejtësisë së re ku mori vendimin me 2 vjet burg. Aty ai pa realitetin që donte të pengonte dhe zhbërjen e ëndrrës së tij të re, për tu bërë një fermer i mirë me mbi 22 mijë metra katrorë tokë të konfiskuara. Kaq mjafton për të kuptuar se kur Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se i ka provat, dijeni se i ka. Ndaj nëse doni të shihni nesër sesi do i shkojë fati shefave politikë të simbolit të drejtësisë së vjetër, mjafton të shihnit sot Adriatik Llallën, teksa dilte nga gjykata e re.