Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se aplikimet për Akademinë e re të Lidershipit mbyllen më 30 qershor. Kryeministri ftoi të konkurrojnë të rinjtë e moshave 16-26 vjeç, që duan të stërviten në grup, për të zhvilluar aftësitë e tyre të komunikimit dhe vendimmarrjes. Pjesë e kësaj akademie mund të bëhen të rinj që duan të lexojnë e që dinë të flasin, po dhe të dëgjojnë. Të pakënaqur me si i shkojnë gjërat përreth, po edhe me veten e tyre. Individë që dëshirojnë të stërviten në grup, për të zhvilluar aftësitë e tyre të komunikimit dhe vendimmarrjes.

Kushdo që e gjen veten në këta rreshta, që nuk është më pak se 16 vjeç e më shumë se 26 vjeç dhe që dëshiron ta provojë mundësinë e vet për një vend në Akademinë e Re të Lidershipit, në adresën liderakademi.al.

“Kërkesa mund të ketë shumë, po vende janë pak. Prandaj kush aplikon duhet ta mbajë parasysh se ka më shumë gjasë të humbasë, se sa të fitojë. Por kush dëshiron dhe ngurron, le të lexojë këto fjalë të Michael Jordan, “Kam humbur më shumë se 9000 gjuajtje dhe thuajse 300 ndeshje. E kam humbur gjuajtjen e fitores 26 nga herët që ma besuan. Në jetën time kam dështuar herë pas here dhe përsëri. Dhe prandaj i’a kam dalë të kem sukses””, është shprehur më herët kryeministri Rama.