I akuzuar rëndë nga drejtuesi politik i PD-së në Qarkun Lezhë, Mark Marku për blerje votash, kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, deklaroi në një intervistë për Report Tv se me Markun do të përballet në gjykatë.

Për Ndreun këto akuzat e Markut janë lajthitje të forta dhe ai do të duhet t’i faktojë akuzat e rënda para drejtësisë.

“Nuk janë akuza të forta por lajthitje të forta. Jam i shokuar në nivelin ku ka rënë profesor Marku. Të jesh politikan dhe të flasësh përçart është e dhimbshme. Të gjitha ato që ka thënë janë broçkulla. Të gjitha ato që ka thënë nuk janë të vërteta. Meqë më ka përmendur me emër do të përballemi në gjykatë dhe ai të provojë se cilat janë votat që ka blerë bashkia, cilat janë pronat që unë kam përvetësuar…”, tha ai.

Sipas kryebashkiakut të Lezhës këto janë disa fantazi idiote që nuk i takon t’i thotë një profesor.

“Ai do përballet në gjykatë sepse më ka shkaktuar dëm publik dhe nuk ka asnjë dilemë në lidhje me këtë. Ne gjatë gjithë fushatës nuk kemi pasur asnjë problem. Kryetari i bashkisë ka bërë thirrje për qetësi. Ne kemi bërë gjithçka për të shmangur incidentet. Ata s’kishin asnjë pretendim, thirrën ‘fitore fitore’ dhe pastaj u kujtuan për blerje të votave. Këta shohin qimen te syri i tjetrit dhe nuk shohin traun te syri vet. Profesor Marku do të vijë në gjykatë dhe të faktojë atë që ka thënë. Ai nuk ka asnjë argument përveç dhimbjes që nuk arriti rezultatin që donte. Vërtet fituan lehtë por ne kemi përqindjen dërrmuese të votave të pavlefshme dhe nëse do të kishim ndjekur taktikë tjetër do të kishim tjetër rezultat”, tha Ndreu.

Duke i cilësuar edhe një herë banale dhe të turpshme këto akuza që nuk ia vlen as të komentohen, Ndreu tha se do ta mbrojë deri në fund emrin e tij.

“Mua më intereson mbrojtja e emrit tim në të drejtën e Zotit. Askush nuk mund të më vërë mua në një pozicion të tillë. Se Mark Marku pretendonte të merrte 6 me 1 dhe doli 4 me 3 ky nuk është faji im. Ai që kur thotë se do të dilnim 6 me 1 tregon se nuk ia ka haberin fare fushatave dhe politikës. Nëse do të flasim me aludime atëherë edhe unë kam fjalët e mia. Se si i mori Marku votat në Kurbin, se me kë rrinte Marku dhe kë kishte në krah ai”, vijoi Pjerin Ndreu në intervistën e tij për Report Tv.

Në fund ai akuzoi partitë e opozitës se në Lezhë provokuan incidente gjatë fushatës.

“Kanë dalë me grupet e mbrojtjes së votës, me falanga, me makina gjatë gjithë natës e ditës. Provokacionet që janë tentuar të bëhen ne jemi munduar që t’i shmangim. Ditën e zgjedhjeve na është qëlluar një militant nga grupet e LSI-së dhe ne nuk kemi reaguar fare”, tha ai.