Analisti Dritan Shano komentoi në studion e “Dita jonë” zgjedhjet brenda Partisë Demokratike. Sipas tij, në këtë parti “nuk ka garë”.
“Për mendimin tim personal, nuk ka garë në Partinë Demokratike. Një kryetar që hyn në garë si kryetar, e fillon garën e 100-metërshit 90 metra para kandidatëve të tjerë.
Ai ka në dispozicion gjithë nomenklaturën e partisë, ajo vendos se çfarë pranohet dhe nuk pranohet si kandidat, sikundër e pamë edhe dje.
Ka një proces të imagjinuar, që i imponohet atyre njerëzve që tentojnë të garojnë. Gara duhet zhvilluar në kushte të barabarta. Nuk do të ketë asnjë surprizë”, tha Shano.
Analisti theksoi se “Basha frymëzon shumë demokratë, nuk frymëzon shumë të tjerë, por ama të gjithë demokratët i ka çuar nga humbja në humbje”.
“Të krijohet përshtypja se po aq sa e duan demokratët Bashën, aq e duan edhe socialistët. Jo më kot, Rama nxitoi që t’i hidhte komardaren për përfaqësim zotit Basha.
Rama ndihet komod me Bashën dhe do të bëjë ç’është e mundur që ai të mos trazohet”, deklaroi Shano.
Në lidhje me çështjen Sali Berisha, Shano tha: “E kam thënë edhe më parë: PD-ja duhet të ndahet nga e shkuara, sado e lavdishme të jetë ajo.
Zoti Berisha e trajtoi personalisht këtë gjë, nuk përdori ambientet e PD-së për të adresuar çështjen e tij.
Për këto gjëra kemi kryetarin, që duhet të lexojë pozicionin e PD-së përballë SHBA-së dhe të marrë vendimet e veta. Për këtë punë është kryetari. Basha duhet të ishte më i qartë në qëndrimin e tij”.