“Politika përbëhet nga dy fjalë; “poli”, që nga greqishtja do të thotë shumë dhe; “tik”, një lloj insekti gjakpirës”. Gore Vidal

Lulzim Basha me siguri nuk e ka lexuar Gore Vidal, e as thënien e tij që e shpjegon politikën në mënyrë të thjeshtë dhe cinike, por ekspertët izraelitë të fushatës së tij me siguri që po. Ata nuk kanë patur kohë, ti mësojnë “punëdhënësit” të tyre përmendësh, gjëra që një lider politik fitues duhet ti ketë të lindura.

Tani që kaluan dy javë nga përfundimi i zgjedhjeve të 25 prillit, mund të analizosh më ftohtë, shkaqet që e çuan opozitën shqiptare drejt humbjes. Lulzim Basha kishte shanse reale që të bëhej Kryeministër, por atij ia treguan shtegun gabim dhe ai nuk kishte instikt dhe busull të saktë që të orientohej në pyll!

Gabimi fatal

Liderët e partive të vogla aleate me PD dhe elita e medias opozitare, ishte në ekstazë ditët e fundit të dhjetorit 2018. “Do e shihni çdo i bëjmë Ramës tani shpejt”,- i thonin njerëzve në “mirëbesim”. Tymi i flakadanëve kur u shkarkua Kryeprokurori Adriatik Llalla, shoqëruar me goditjet me çizmeve në Parlament, u përzie me fishekzjarret e festimeve për vitin e ri 2019. Çarja e digës së sistemit të vjetër të drejtësisë duhej ndalur, ose ujërat e ndenjura, do mernin përpara komanduesit e saj.

Djallëzia e Sali Berishës dhe Ilir Metës, detyruan Lulzim Bashën e Monika Kryemadhin të dorëzonin në janar në Kryesinë e Kuvendit, mandatet e deputetëve të opozitës. E atëherë kur besonin e se e kishin kapur Edi Ramën në befasi, e ai do u lutej të riktheheshin, Parlamenti nuk humbi kohë. Mandatet iu dhanë të renditurve në fundin e listave të PD e LSI në zgjedhjet e 2017. “Kaparata” e re e popullit opozitar, sapo kishte bërë rokadën në skakierën e shahut politik, me elitën zyrtare.

Kjo ndezi “revolucionin e molotovëve”, çdekretimin e zgjedhjeve lokale nga Presidenti dhe bojkotin e tyre nga opozita. Por PS dhe Edi Rama, nuk u tërhoqën. Pas 30 qershorit 2019, PD e LSI e panë veten për herë të parë që nga krijimi, jashtë sistemit politik e demokratik të vendit, pa përfaqësim në pushtetin lokal e qëndror. Opozita preku fundin, ndërsa institucionet e sistemit të ri të drejtësisë me ndihmën e SHBA dhe BE, vijuan ngritjen.

Lufta finale e opozitës, për të penguar reformën e drejtësisë, dështoi. Por atëherë kur demokracia e kaloi testin e stresit ekstrem, tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia globale, morën në provim aftësinë e qeverisë dhe të Kryeministrit Edi Rama për të reaguar dhe menaxhuar një nga periudhat më të vështira në historinë e vendit. Mandati 2017- 2021, u shndërrua në 4 vjeçarin më unikal politik, të tri dekadave të post komunizmit në Shqipëri.

Detajet që bëjnë diferencën

Pasi doli nga dera e sistemit, opozitës i duhej dhënë mundësia, të rikthehej nga oxhaku. Tryeza e Këshillit Politik për reformimin e sistemit zgjedhor, i dha mundësinë palëve, të rinisnin lojën e prishur të shahut politik. PS ishte në pozita më superiore pasi në fund të fundit, marrëveshja politike do përkthehej në ligj e do reflektohej me ndryshime Kushtetuese, në Parlamentin e braktisur nga PD dhe LSI.

Koalicionet ndryshe nga më parë, do të ishin parazgjedhore, përmes një liste unike kandidatësh për deputetë. Kjo i hiqte mundësinë opozitës, të përsëriste në 2021, lojën që PD dhe LSI bënë kundër PS në zgjedhjet e 2009. Basha e Meta betoheshin se kishin qëllim, vetëm largimin e Edi Ramës, ndaj Kryeministri shfrytëzoi një parim europian për ti vendosur në provë. Intuita e tij triumfoi, sepse PD dhe LSI, nuk bënë një koalicion të përbashkët. Si të mos mjaftonte kjo, nga partia e Bashës u krijuan disa parti të reja politike, të cilët e fragmentarizuan akoma edhe më shumë votën e opozitës.

“The Queen’s Gambit”

Shifrat e 25 prillit dëshmuan se PS fitoi jo vetëm se menaxhoi mirë projektin e rindërtimit nga tërmeti dhe pandeminë, por edhe lojën e shahut politik me opozitën. Mbledhja mekanike e votave që çertifikoi KQZ tregojnë se; nëse PD dhe LSI do të ishin në një koalicion të përbashkët parazgjedhor do të fitonin 68 mandate, PS 70 dhe PSD e Tomë Doshit 2 mandate. Pra opozita do të fitonte 5 mandate më shumë.

Nëse të gjitha forcat opozitare (përfshi partitë e reja të Topallit, Patozit, Murrizit, Rudina Hajdarit, etj) do të dilnin në një front unik, atëherë PS po sipas kësaj mbledhje mekanike të votave, do të merte 69 mandate. Edhe Opozita e Bashkuar, do të merte 69 mandate. Fati i qeverisjes së Shqipërisë deri më 2025, pas kësaj, do të ishte në dorë të PSD të Tomë Doshit.

PS fitoi sepse Edi Rama diti ta luantë me mirë shahun politik. Në 2009 ai bëri marrëveshje me Lulzim Bashën për ti shtyrë zgjedhjet më 25 qershor, nga 18 qershori që ishin dekretuar fillimisht. Kjo manovër çoi në djegien e afateve për krijimin e koalicioneve të reja. Në 2021 Gjiknuri e “qëndisi” këtë në amendamentet kushtetuese, duke ia djegur mundësinë opozitës, që të shfrytëzonte një artific për të fituar mbi PS.

Lulzim Basha vetë e ndihmoi Edi Ramën që të kalonte nga shtegu i duhur duke dëshmuar se nuk kishte as “poli”-sin dhe as “tik”-un e duhur, për të qenë një lideri fitues!