Nga Ylli Pata/ Një nga rezultatet më interesante të leximit të votës së 25 prillit është ai i qarkut Dibër. Në analizat e diskutimet e postvotës, është tentuar të ndahet vendi në dy pjesë të kundërta; veriu blu e jugu lejla, po në fakt situata është më komplekse dhe me nuanca të ndryshme e përfshirëse ngjyrash politike.
Dibra është qarku ku ka pasur lëvizje dhe ndryshime të forta politike që prej zgjedhjeve të vitit 2013.
Edhe pse PD dhe aleatët e saj arritën të dalin forcë e parë, diferenca në qark është vetëm 287 vota.
Deputeti i tretë ju dha PD-së me fotofinish, ndërkohë që krahasuar me vitin 2013, kur PD humbi zgjedhjet në rang kombëtar dhe kishin kryetar Sali Berishën, kanë 1 mijë vota më pak.
Ndërkaq, Partia Socialiste ka 5 mijë vota më shumë nga viti 2013 dhe 4 mijë vota më shumë se viti 2017.
LSI-ja ka pësuar një disfatë të thellë pasi ka 6 mijë vota më pak se 2013 dhe 8 mijë më pak se 2017-a.
PDIU-ja e Shpëtim Idrizit që ishte faktor 4 vite më parë mori 12 mijë vota në 2017-n, por këtë herë duket se këto vota janë ndarë sa te PS-ja e sa te PD-ja, e cila ka marrë pjesën më të madhe të këtyre votave edhe për faktin se ishte në aleancë me këtë forcë politike.
Në rang bashkish rezultati paraqitet kështu: PS ka fituar Bashkinë Mat e Bulqizë, ndërsa në Klos situata është thuajse barazim. Në bashkinë Dibër, PD është në avantazh. Por brenda këtyre shifrave ka ndryshime të rëndësishme bastionesh. Zona e Maqellarës, e cila që në vitin 1991 votoi për PD-në, duke çuar të vetmin deputet në Parlament si përfaqësues i Dibrës, më 25 prill, ka votuar në shumicë për Partinë Socialiste.
Këto janë analizat e shifrave që ofron 25 prilli në qarkun Dibër, por krahas saj ekziston edhe një anë politike e qasjes për këtë zonë.
Partia Demokratike dërgoi në një qark mjaft delikat e të ndjeshëm për cilësinë e përfaqësuesve Xhelal Mziun nga Kamza, i cili njihet si radikal dhe që këputi mufka edhe në ditët e fundit të fushatës, ku u detyrua të kërkonte falje.
Ndërkaq nga Tirana u dërguan edhe Kreshnik Çollakun dhe Dhurata Çupin që me origjinë janë nga Mati.
Ndërkaq, Partia Socialiste e rriti pjacën e përfaqësimit, duke vendosur si drejtues të qarkut dhe të listës Lavdrim Krashin, një intelektual nga Dibra, por që vjen nga Britania e Madhe, ku punon prej shumë vitesh si zyrtar i një prej njësive bashkiake të Londrës dhe aktivist politik i laburistëve.
Krashi, ka operuar në Dibër me një fushatë tipike angleze, ku siç përshkruhet hollësisht në faqen e tij në rrjetet sociale ka zhvilluar plot 173 takime në të gjitha
zonat e Dibrës dhe Bulqizës, ku binin në sy takimet në tregje dhe vende ku mblidhen qytetarët, tipikisht sipas modelit perëndimor. Pra shkon politikani tek njerëzit dhe jo thirren qytetarët në zijafete e salltanete në restorante dasmash. Krashi, siç u pa edhe në takimet e mëdha ku mori pjesë edhe Edi Rama, ishte i thjeshtë në ligjërimin publik, ku nuk pati premtime të mëdha, por u fliste se si janë rrugët që një ligjvënës mund të jetë një përcjellës dhe shërbyes publik i komunitetit në institucionet e larta të shtetit.
Një përvojë fushate jo shumë e njohur në Shqipëri, ku përdoret një komunikim invazim dhe i tërthortë me zgjedhësit.
Ndërkaq, në Mat PS-ja kandidoi Aurora Marën, e cila në legjislaturën e shkuar ishte në listat e LSI-së dhe pas diegieve të mandateve nga opozita hyri në Parlament, duke refuzuar aksionin e braktisjes së institucioneve.
Pjesë e një familje me reputacion në Mat, ajo arriti të sigurojë një fitore për PS-në në këtë zonë, ku mazhoranca kishte humbur në dy zgjedhjet e shkuara.
Ekuilibri politik i Dibrës është lajmi në fakt në zgjedhjet e 25 prillit në 12 qarqet e vendit, ku rezultatet kanë përfunduar me diferenca të ndjeshme të njërës palë dhe tjetrës. Nga 12 qarqe gjithsej: PS-ja fitoi 8 ndërsa PD-ja vetëm 4.