Po vijnë kohë të vështira! Angela Merkel për vite, një lloj engjëlli mbrojtës për kryetarin e qeverisë hungareze, Viktor Orban do të largohet për pak kohë nga posti. E në këtë fazë të ndërmjetme CDU dhe CSU-ja u sollën si klientët e pagdhendur të një lokali periferik para mbylljes. Ato u përfshinë në sherr, me pasojë dëmtimin e imazhit të tyre dhe rënien në sondazhe. Tani në Gjermani partia më e preferuar janë të Të Gjelbrit, dhe nuk është se nuk ka gjasa që pas zgjedhjeve parlamentare në vjeshtë kancelarja të vijë prej tyre.

Po të isha si Viktor Orbani do kaloja netë pa gjumë.

Annalena Baerbock, kandidatja e Të Gjelbërve për postin e kancelares është një eksperte e mbikualifikuar për të drejtën ndërkombëtare dhe 40 vjeç e re. Si kërcimtare trampolinę ajo ka fituar në kampionatet gjermane tre herë medaljen e bronzit dhe nuk trembet nga askush. Edhe futboll ajo ka luajtur disa vite me radhë.

Angela Merkel e ka trajtuar gjithmonë me një mirësi nëne kryeministrin hungarez Orban, 9 vjet më të ri, për sa kohë që partia e tij Fidesz ishte anëtare e Partive Popullore Europiane. Me Barbock kjo do të ndryshojë. Për bashkëmoshatarët e saj asgjë nuk është e pandryshueshme. Buzëqeshja dinake e diktatorëve në plakje barkmëdhenj nuk i bën zemrat e tyre të dridhen, dhe një tufë me lule nuk i bën përshtypje. Në një kohë që Viktor Orban që ndodhet në një valë me kolegët e tij nga Kazakistani, Azerbajxhani, Uzbekistani apo Kina, nuk mund ta bëjë këtë me gjeneratën “Y” në Europën perëndimore.

Multimiliarderë të nginjur nga qeveria

Problemi u bë i dukshëm në fund të prillit, kur 12 deputetë të Parlamentit Europian, e informuan presidenten e Komisionit Europian në një letër se 20% e fondeve nga paketa e ndihmës së Coronës për Hungarinë janë hequr mënjanë nga ana e qeverisë së Orbanit. Për Ursula von der Leyen kjo shumë nuk është ndonjë gjë e madhe, megjithatë eurodeputetët vendosën të nxirrnin në pah metodat që përdor qeveria në Budapest.

Multimiliardët e përzgjedhur nga qeveria për t’u majmur me fondet publike, me aftësi më së shumti sa për të menaxhuar një shërbim reparimi të pajisjeve shtëpiake, tanimë kanë detyrën të blejnë infrastrukturë bazike të vendit, natyrisht me para që qeveria ua ofron fsheurazi dhe pikërisht për këtë qëllim. Arsimi i lartë kalon në të ashtuquajturin “fondacione pasuriadministruese të interesit publik me detyra publike”, të drejtuar nga jeniçerët besnikë të partisë qeverisëse Fidesz. Edhe në kulturë po e njëjta gjë. Tani u themelua edhe “Autoriteti Mbikqyrës për Aktivitete Rregulluese”, që vëzhgon tregun e kazinove dhe lojërave të fatit. Drejtuesin e tyre e emëron Viktor Orban për 9 vjet, një kohë që tejkalon mandatin e tij.

Para nga barbarët, fjala është për Brukselin

Për të gjitha këto deputetët europianë informuan në një letër, të cilën revista “Politico” e publikoi. Mes tyre tetë eurodeputetë janë anëtarë të grupit parlamentar të Të Gjelbërve/Aleancës Europiane të Lirë në PE. Baerbock është kancelarja e tyre e shpresuar.

Duket se për Orbanin oksigjeni po rrallohet këto ditë. Nëse në mëngjes ai shkon në Bruksel të nxjerrë pjesën e fondeve që i takon e në drekë kërkon 16 miliardë euro nga fondi i Coronës, pak orë më vonë fjala është vetëm për një të tretën e kësaj shume. Çdo cent i shumës së kërkuar ishte planifikuar ndërkohë, në fund të fundit zgjedhjet nuk janë larg. E Fideszit i duhet të derdhë para dhe të kujdeset që populli vetëm të shijojë shiun e ca bankënotave që bien nga lart, në një kohë që shumat e mëdha gjejnë një rrugë tjetër, atë që e parashikoi „ai lart”. Në darkë Orban thotë pastaj në shtëpinë e vet, se atij i mjaftojnë edhe ato pak para që në fund edhe i mori.

Arsyet për këtë heqje dorë kuptohen. KE i lidhi fondet me kushte „qesharake”, si për shembull kërkesa që qeveria hungareze mjetet duhet t’i përdorë në luftë kundër korrupsionit dhe forcimit të shtetit ligjor. Ka sens humori ai që ia vë këtë detyrë Orbanit. „Burokratët e Brukselit” kërkojnë madje më shumë, rregullimin e dhënies së tenderave publikë dhe forcimin e pavarësisë së drejtësisë. Sipas gjasave, kjo nuk është pa perspektivë, sepse në Bruksel flitet që Orban është lodhur nga debatet e mëdha me Komisionin Europian, ashtu si dhe shtetet e tjera. Kështu ai mori atë që mundi dhe u kthye kokëvarur.

Baerbock është tani vetëm një copë reje e bardhë në horizontin perëndimor. Por si ia bëhet, nëse ajo zë dy të tretat e qiellit, mbulon diellin dhe kërcënon me përmbytje? Kjo është pyetja kryesore, në një kohë, kur fuqia magjike e kreut të qeverisë sonë po lëkundet.

Me parimet bazë të BE veprohet sipas gustos

Kohët ndryshojnë. Dje ai i ishte vënë keq Europës, duke trembur sidomos vendet jugore, me veton e tij kundër paketës gjigande të shpëtimit të BE, le të guxonin ata, Orban vetë tre herë në ditë të paktën i shkelte me këmbë parimet bazë të BE. Megjithatë poterja që bënte Orban duhej të merrej seriozisht, sepse ata që e njihnin karakterin e tij, ishin të sigurtë, që ai e bënte realitet edhe kërcënimin. Por erdhi Merkel, i ftohu kokat e nxehta, megjithëse se ne hungarezët do bënim mirë të visheshim si vikingë, kozakë apo indianë, nëse do na çonte një ditë rruga në vendet jugore europiane.

Por më e rëndësishme është, t‘ia lejosh komandantit tonë, t’i shkelë vlerat bazë të BE, por sigurisht, vetëm nëse nuk e prek direkt buxhetin e saj. Kështu e thotë edhe mekanizmi i shtetit ligjor të BE: Sanksione kundrejt shkeljeve të shtetit ligjor – nëse janë të përfshira fonde nga BE. Se çfarë do të thotë kjo konkretisht nuk e dimë. Ndoshta as Merkel nuk e di. Në dhjetorin e vitit të kaluar ajo vetëm e shuajti kurorën e adventit para krishtlindjeve që të mos digjej e gjithë shtëpia.

Modeli hungarez është ngjitës

„Ekspertët paralajmërojnë nga blerja e shtëpive mediatike të fundit të pavarura në Hungari”, shkroi së fundmi portali Euractiv. Që në vendin e hunëve djalli i ka marrë mediat e pavarura dihet prej kohësh. Por më thelbësore se kjo është rreziku i infektimit me këtë model hungarez. Sëmundja përhapet në të gjitha drejtimet, nëse jo sot, atëherë neser ose pasnesër.

Nëse Annalena Baerbock vërtet zgjidhet kancelare, kjo mund të shihet si një fitore për kontinentin tonë, por ne duhet ta kemi të qartë, që Europa nuk ka nevojë tani për një kancelare të aftë gjermane, por për një vaksinë politike me efekt.

István Váncsa, lindur në vitin 1949, është një gazetar hungarez, kritik dhe publicist, që njihet për tekstet ironikë, si edhe autor i librave me receta gastronomie jo tipike. Ai është zëvendëskryeredaktor i gazetës javore, „Jeta dhe letërsia”. Aty është publikuar edhe ky tekst, 7 Maj 2021.

Përkthimi dhe përshtatja: Gábor Szász/Keno Verseck/Lindita Arapi