Ismet Bogujevci, këngëtari i njohur i muzikës popullore ka ndërruar jetë ditën e sotme. Këtë lajm e bëri të ditur i biri i tij nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Më tej ai ka njoftuar se për detaje të varrimit familja do të njoftojë në vijim.

“Ju njoftojmë gjithë familjes dhe miqësisë se sot më 13 maj ndërroi jetë më i shtrenjti ynë, kaluam shumë sfida bashkë babë pusho në paqe me tingujt e muzikës tënde që kurrë nuk do të shuhen. Për varrimin iu njoftojmë në vijim”, ka shkruar Rigon Bogujevci në postimin e publikuar në Facebook.

Ismeti ishte solisti ndër dekada i Ansamblit Kombëtar ‘Shota’ dhe i shumë shoqërive që kanë lënë nam në Kosovë dhe trojet shqiptare. Ai ka interpretuar një mori këngësh të famshme e ka pasur edhe shumë bashkëpunime. “Një lulishte”, “Kënga e Jemenit”, “Sillma erën e malit” – janë vetëm disa prej projekteve të tij të njohura.

Vite më parë, në mbështetje të Rregullores për Gradimin e Pagave të Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe Punonjësve Profesionalë të Trashëgimisë Kulturore, MKRS-ja, me një vendim të veçantë, e nderoi Ismet Bogujevcin, solist i njohur i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” me titullin “Doajen i Ansamblit.” Me këtë rast, ministri Shala e përgëzoi Bogujevcin për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në fushën e artit dhe të kulturës në Kosovë ndër vite.