Ato janë numra triumfi. Interi që fitoi titullin është i mbushur me shumë figura të rëndësishme, për të legjitimuar një trofe që u sigurua qysh më 2 maj, por u fiksua zyrtarisht në historinë e klubit zikaltër të dielën e djeshme. Kundër Udinese u mbyll gjithçka me një fitore tenistike 5-1. Një festë për të gjithë dhe pa ndërprerje. Tani, me titullin e arkivuar, është koha për të bërë një vlerësim. Dhe kampionati zikaltër ka rezultuar me numra që ishin të paimagjinueshëm deri para disa muajsh.

PIKËT DHE GOLAT
Me fitoren në javën e fundit, Interi ka kaluar 90 pikët. Ngrini dorën, nëse do ta kishit besuar këtë gjë disa vite më parë, por edhe në fillim të nëntorit 2020. Vetëm një herë në historinë e tyre, zikaltrit patën sukses: sezoni 2006-2007, i pari pas ‘Calciopoli’, ai i rekordit të fitoreve radhazi (17) me Roberto Mancini në stol. Në atë kohë u grumbulluan 97 pikë, tani janë 91 pikë. Një arritje e mundshme vetëm në sajë të ekuilibrit perfekt midis fazës mbrojtëse dhe sulmuese. Interi e përfundoi kampionatin me mbrojtjen më të mirë (35 gola të pësuar) dhe shënoi 88 gola. Vetëm tri herë në historinë e tij, klubi zikaltër e kishte mbyllur me më shumë gola në kampionat: më 1949-1950 (99 gola) dhe 1950-1951 (107 gola). Totali i golave ​​këtë sezon, duke marrë parasysh të gjitha garat, është 101. Pra, numër i trefishtë.

FORTESË NË SHTËPI
Conte e ndërtoi udhëtimin triumfal brenda mureve të ‘San Siro’, i heshtur, por miqësor. Nga 4-2 kundër Torinos në kthim, Interi i fitoi të gjitha ndeshjet në shtëpi. 16 ndeshje në ‘San Siro’ (17 nëse llogarisni derbin e kthimit, teknikisht jashtë), pa iu lëshuar asgjë kundërshtarëve. Kjo seri positive erdhi pas humbjes kundër Milanit dhe barazimit kundër Parmës. 48 pikë, 46 gola të shënuar dhe 11 të pësuar në këtë seri vërtet të frikshme pamposhtmërie në shtëpi. Tifozët besnikë të ‘San Siro’ do të kafshojnë duart e tyre që nuk mundën dot të merrnin pjesë aktive në sfidat shtëpiake të zikaltërve, por ata do të jenë ngushëlluar tashmë, duke ëndërruar ‘trengjyrëshin’ në fanellën e sezonit të ardhshëm.

FITORE KUNDËR TË GJITHËVE
Udinese jo vetëm zgjati serinë e fitoreve në ‘San Siro’, por gjithashtu lejoi që Interi t’i japë vetes një kënaqësi tjetër: atë të të mposhturit të të gjitha skuadrave në Serie A, të paktën një herë. Friulianët në fakt e kishin ndaluar formacionin e Conte në fazën e parë, por nuk mund të bënin asgjë në ndeshjen e kthimit. Kampionët italianë i mundën të gjithë. Demonstrim i forcës që nuk kishte arritur kaq sukses as në vitet e titujve të fundit me Trapattoni, Mancini dhe Mourinho në stol. Pastaj janë dy “bisha: Lukaku dhe Lautaro Martinez. Plot 41 gola të dy në kampionat: 24 për belgun dhe 17 për argjentinasin. Numrat 9 dhe 10, çifti i ëndrrave për tifozët e Interit. Këto janë numra triumfi. Titulli tani është në dorë dhe numrat flasin për një dominim, që është i vështirë të parashikohet më në Serie A.