Nga Elbasani ku mori pjesë në ceremoninë e nderimit të dëshmorëve me rastin e 5 Majit, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla komentoi edhe deklaratat e opozitës për të mos njohur zgjedhjet e 25 Prillit.

Balla tha se gjatë këtij mandati të ri qeveria do të ketë një qasje të re me opozitën pasi edhe kjo e fundit ka një rol të rendësishëm për çuarjen përpara të reformave.

“Kjo është një ditë që na motivon më shumë për të punuar më shumë për çuar përpara amanetin dhe për të kurorëzuar aspiratat historike të të gjithë shqiptarëve për integrimin europian. Sot nga Elbasani dua të falënderoj të gjithë familjet e dëshmorëve përfaqësuesit e organizatës së veteranëve të luftës, punonjësve të policisë që kanë humbur jetën në përpjekjen me krimin dhe këtu në Elbasan kemi një sërë punonjësh policie që kanë humbur jetën në kryerjen e detyrës. Kjo është një ditë që na bën të jemi sa më shumë të vetëdijshëm për të krijuar në këtë mandat të ri një klimë të re politike larg konfliktualitetit dhe të punojmë së bashku për më shumë kontribute në dobi të punëve të mira që duhet të bëjmë për atdheun tonë të dashur.

Sot është dita e dëshmorëve dhe s’është dita të merremi me opozitën, ajo që tha Rama është se gjatë këtij mandati të ri do kemi një qasje tjetër me opozitën dhe do të punojmë sa më shumë për punët e rëndësishme që na presin dhe opozita ka rolin e saj të pazëvendësueshëm në shumë reforma të rëndësishme që duhet të çojmë përpara dhe kontributi i tyre në Kuvend është i mirëseardhur”, tha Balla.

I pyetur nga gazetarët lidhur me nismën e shkarkimit të Presidentit, Balla u shpreh se ky proces do të shkojë deri në fund.

“Të jeni të sigurt se ne këtë proces do ta çojmë deri në fund”, shtoi ai.

Përsa i përket hetimit të krimeve zgjedhore nga SPAK mbi denoncimet e bëra nga opozita,Taulant Balla deklaroi se mbështesin çdo hetim serioz.

“Duhet të hetohet çdo denoncim”.