Ka zgjatur rreth 100 minuta takimi i kryedemokratit Lulzim Basha me kandidatët për deputetë, i zhvilluar mbrëmjen e sotme në selinë e PD.
Mësohet se kandidati për deputet, që e fitoi mandatin në Lezhë Mark Marku ka kërkuar nisjen e protestave popullore.
“Qytetarët janë lodhur me procedura ligjore, me këto të merren ekspertët. Ne duhet të protestojmë, që t’u tregojmë njerëzve që do e mbrojmë votën e tyre”, ka deklaruar Marku, duke kerkuar revolte per mbrojtjen e votes se lire!.
Xhelal Mziu, i dalë deputet në Dibër nga ana tjetër ka kërkuar që krimi zgjedhor të dokumentohet. Por Mziu ka kërkuar gjithashtu që PD dhe Lulzim Basha të mos bëjnë zgjedhje brenda partisë për zgjedhjen e Kryetarit të demokratëve, por të merren vetëm me dokumentimin e krimit elektoral.
Pedagogu Agron Gjekmarkaj, gjithashtu fitues i zgjedhjeve në Lezhë kërkoi qartësi nëse PD do të jetë në parlament në shtator.
“Z.Basha ne duhet të jemi koherent me gjërat, dhe duhet që një vendim që marrim sot t’i qëndrojmë edhe në shtator. A do jemi në Kuvend?”, mësohet të ketë thënë Gjekmarkaj.
Gazetari Stafa raportoi se kryedemokrati Lulzim Basha ka konfirmuar se PD do konsumojë çdo hapësirë, përfshirë edhe parlamentin, çka do të thotë që në opozita do të jetë në parlamentin e dalë nga 25 prilli.
“Do konsumojmë çdo hapësirë, edhe parlamentin dhe do mbrohemi fuqishëm”, citohet të ketë thënë Basha.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha thirri në selinë blu deputetët e rinj që dolën fitues nga zgjedhjet e 25 prillit dhe kandidatët për deputetë.
Temë kryesore e takimit ishte situata postzgjedhore dhe strategjia që do të ndjekë PD për të mos njohur zgjedhjet e 25 prillit. Dje Basha zhvilloi një takim me drejtuesit dhe sekretarët e degëve të PD, ku u tha se zgjedhjet e 25 prillit nuk do të njihen për shkak të standardeve jo të plotësuara dhe për shkak të manipulimeve.
Basha deklaroi në takim se pavarësisht vjedhjes së votave nga Rama e Doshi, opozita arriti të marrë shumë vota. Ai tha se lufta e Partisë Demokratike do të vazhdojë, deri në ndryshimin e situates në Shqipëri. Basha deklaroi se PD do jetë libër i shkeljeve në zgjedhje për kancelaritë ndërkombëtare.
PD ka ngritur një grup pune me juristë dhe ekspertë të tjerë TI, për evidentuar shkeljet gjatë zgjedhjeve. Dhe takimi i sotëm ka pikërisht këtë çështje në fokus, për të vendosur hapat në vazhdim për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve.
Partia Demokratike pretendon se ka prova të rëndësishme se PS ka ndërhyrë në zgjedhje.
“Bëhet fjalë për kontestim të zgjedhjeve, pasi PD pretendon se ka prova të rëndësishme ku thuhet, ose faktohet gjithmonë sipas PD se ka pasur ndërhyrje nga PS në zgjedhje.
Disa prej këtyre provave janë publikuar, si lejet e legalizimit që janë dhënë në zgjedhje apo forma të tjera të përdorimit të institucioneve shtetërore për të ndikuar në vullnetin e qytetarëve.
PD pretendon se vullneti i qytetarëve është tjetërsuar dhe për këtë arsye po përgatit një dosje për t’ia dërguar organeve kompetente dhe më pas për t’i bërë publike për qytetarët. Këto rrugë do të ndjekë PD, për të deligjitimuar zgjedhjet e 25 prillit.
Basha ka përmendur me emra kandidatë për deputetë, duke thënë se kanë blerë votat dhe nuk i morën nga populli në mënyrë të lirë. Nga kampi opozitar ka pasur edhe zëra që kanë uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren, siç ishte kreu i PAA Agron Duka duke thënë se duhet të njihet rezultati zgjedhor! Tema/