Nga Lorenc Vangjeli
Zoti Basha nuk është Selmani anonim, ai tipi që u martua për herë të dytë dhe morri sërish të njëjtën grua. Ndryshe prej tij, kryetari i partisë demokratike, po synon me të njëjtat mjete dhe të njëjtat mënyra për herë të katërt së paku, që të ketë një rezultat të ndryshëm nga humbja. Turi grotesk i tij nëpër Shqipëri, fjalori që përdor dhe mënyra sesi tund lugën bosh përpara gojës së uritur të demokratëve, e bën edhe më qesharake historinë e këtyre zgjedhjeve, të cilat tashmë janë një kapitull i mbyllur. Ka vetëm një shans real që të hedhë hije dhe të tkurrë fitoren e Ramës në 25 prill, por asnjë mundësi qoftë edhe hipotetike që të zhbalancojë rezultatin. Ankimimet për qarkun e Beratit dhe Durrësit, ku kandidatët e LSI-së nuk morrën mandat për 77 dhe 138 vota, përsëri nuk kalojnë nga zyra e kryetarit të PD-së, që po kërkon t’i gjejë vetes punë këto ditë. Ndoshta, do të ishte shumë më e udhës të thoshte disa të vërteta të thjeshta. Duke nisur nga fundi, konkurrimi i ndarë i opozitës përballë Edi Ramës, la pa numëruar dhe pa u përkthyer në mandate disa dhjetra mijëra vota, kryesisht të LSI-së. Partia e Kryemadhit morri një deputet për rreth 25 mijë vota, kurse PS e PD i morrën me mesataraisht rreth dhjetë mijë të tilla. Edhe konstalacioni i madh i partive të vogla e të reja të dala nga e djathta, që budallenjtë bolshevikë të PD-së i quanin tradhëtarë, i hoqën disa mijëra vota të tjera opozitës. Këto janë pjesë e arsyeve që e lanë sërish opozitën nën hijen e rëndë të Edi ramës, që maksimalizoi taktikisht çdo votë të partisë së tij. Strategjia e gabuar e PD-së deri në minutën e fundit përpara fillimit zyrtar të garës, për të mos folur për idiotësitë e tjera që e nxorrën nga sistemi, janë faji i Lulzim Bashës dhe i një sërë zërash të tjerë autoritarë publikë që gabuan në gjykim. Të yshtur nga urrejtja për të mohuar dhe të pandershëm për të pohuar, të gjithë bashkë ata bënë gabimin fillestar të mos kuptimit të thelbit të demokracisë: mohuan magjinë e votës. Edi Rama, triumfues i 2021-it nuk ishte më i fortë apo më i frikshëm se Berisha humbës i 2013-ës. Dhe siç demonstrojnë edhe shifrat e dala nga kutitë, Edi Rama mund të ishte larguar me votë. Kritikët dhe kundërshtarët e PS-së, për të kompesuar dobësinë vetjake dhe frustrimin ndaj kryeministrit, arrogancën e tij e quajtën diktaturë. Në botën e lepurushëve, dhelpra ngjan luan dhe në jetën e balerinave, edhe çorapet mund të vrasin këmbën delikate të atyre që e njohin Shqipërinë vetëm nga syzet e cinizmit, e masin me metrin e interesit dhe besojnë atë që duan dhe jo atë që ekziston. Ata u vetësugjestionuan ditë mbas dite dhe mitizuan forcën dhe aftësinë e kundërshtarit, për të bërë më të pranueshme humbjen që e vetëpranonin përpara se të ndodhte.
Kushtetutshmërisht duhet pritur edhe katër vjet të tjera për të pasur përballjen kombëtare elektorale, me kusht, që përtej aktorëve lokalë, të mos futet në mes edhe një aktor me “pasaportë” të dyfishtë, shqiptare dhe ndërkombëtare. Edhe pse ende shumë e largët si ide, edhe pse me shenja shumë të zbehta si paralajmërime, edhe pse pothuaj e paimagjinueshme për shkak të traditës së ngulitur të pandëshkueshmërisë, reforma në drejtësi mund të jetë instrumenti që ka më shumë shanse të ndryshojë skenën politike sesa vetë opozita zyrtare. Për ironi të fatit, ky është pikërisht instrumenti që vetë Basha, për shkak të konfliktit personal që ka me drejtësinë në vite, ka bërë sikur e ka pranuar, por e refuzon thelbësisht.
Eshtë e kuptueshme kriza në PD. Eshtë dramë kombëtare gjithashtu që institucioni i opozitës është në krizë. E humbur në zgjedhje kryesisht për mendtë e kokës, e mpirë nga narkoza paraelektorale që e nanuriste me ëndrra pushteti, e dërmuar nga perspektiva e një katërvjeçari tjetër në opozitë, edhe pse thotë gjithë ditën e Perëndisë të kundërtën e asaj që mendon, edhe pse e mallkon gjithë natën e Djallit, PD-ja është më afër se kurrë me Edi Ramën. Nën sindromën e Stokholmit, e marrë peng nga humbjet e saj të njëpasnjëshme, ajo ka nisur ta shohë Ramën jo si individin që i rreh dorë për dorë sa herë që vihet në lojë pushteti, por si tipin që ka në dorë të ndajë pushtet me ta. Dhe ky është paradoksi tjetër i kësaj historie. Kushdo tjetër në PD, që në rast hipotetik do të hiqte hipotekën e Bashës nga PD-ja, do të ishte larg “projektit misterioz” të Ramës për bashkëpunim pa kufi më PD-në. Sot për sot, vetëm Lulzimi do të donte të ishte në vendin e Bashës, me shpresë se edhe çudia më e madhe se vetë çuditë, zgjat vetëm tre vjet. Më pas, viti i katër përpara zgjedhjeve, nuk kuptohet hiç sesi shket e rrjedh me shpresën se hera e pestë mund të jetë e vërteta. Selmani anonim gjeti të njëjtën grua në martesën e tij të dytë. Basha mund të verë kurrorë me kryeministrinë, në kryeministri, si kryeministër, edhe në tentativën e gjashtë. Nëse e merr me të qeshur, fati nuk është treguar i keq me të.