Pas zyrtarizmit të emrit të ri, Bashkia e Dimalit organizon konkursin për dizenjimin e Emblemës dhe Logos së re të qytetit, si dhe përgatitjen e një “brand book” për promovimin e vlerave arkeologjike dhe kulturore të zonës.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Kryetarja e Bashkisë Juliana Memaj deklaron se logoja që do të përzgjidhet nga një juri profesioniste, në përbërjen e së cilës janë artistë dhe pedagogë të Universitetit të Arteve, do të përdoret për promovimin e qytetit, si dhe në të gjitha shkresat zyrtare të Bashkisë së Dimalit. Të gjithë të interesuarit kanë afat të dërgojnë propozimet e tyre nga data 25.05.2021 deri në 25.06.2021, në adresën elektronike: [email protected]. Secili nga kandidatët mund të paraqesë vetëm një propozim. Fituesi do të marrë edhe një çmim 100.000 Lekë (të reja), ku përfshihen edhe taksat e aplikueshme.
Emblema dhe Logoja duhet të përmbushë kërkesat e mëposhtme:
• Duhet të jetë krijim origjinal dhe unik; • Duhet të përcjellë historinë e lashtë dhe veçoritë e qytezës; • Duhet të konceptohet posaçërisht për këtë konkurs nga ana estetike; • Duhet të jetë e lehtë për t’u dalluar, e përshtatshme në dimensione, sipërfaqe dhe përdorime të ndryshme, në dy variante: me ngjyra dhe bardhë e zi; • Nuk duhet të shkelë të drejtat e palëve të treta, përfshirë edhe të drejtën e autorit; • Nuk duhet të përmbajë figura, fotografi ose elementë të tjerë identifikues pa autorizimin e përkatës.
Formati i kërkuar për propozimet dhe mënyrat e paraqitjes: • Çdo propozim duhet të përfshijë “brand book”-un, emblemën dhe logon me rezolucion të lartë, shpjegimin e projektimit mbi idenë e autorit, si dhe një informacion të shkurtër mbi projektuesin. • Pjesëmarrësit mund ta paraqesin propozimin e tyre në formën e një (1) PDF, ku të përfshihet përshkrimi dhe filozofia pas Emblemës dhe Logos, dhe një (1) JPG, vetëm Emblema dhe Logoja. • Në versionin PDF duhet të përfshihen edhe detajet e plota të kontaktit.
Dosjet duhet të emërtohen me emrin dhe mbiemrin e aplikuesit.
Aplikantët duhet të paraqesin propozimet e logos në adresën [email protected].
Në fund të konkursit, fituesi duhet t’i dorëzojë emblemën dhe logon e krijuar prej tij në formatin e skedarit vektorial në Program Adobe Illustrator (AI ose EPS).