Leo Messi dhe Luis Suárez u takuan dje në Madrid. Sulmuesi argjentinas përfitoi nga dy ditët e pushimit, të dhëna nga Ronald Koeman për skuadrën Blaugrana, për të vizituar mikun e tij dhe ish-shokun e skuadrës. Uruguajani mund të fitojë titullin këtë të shtunë me Atlético Madrid. Nëse ia del, ky do të ishte titulli i tij i pestë në La Liga. Messi e ka konsideruar të përshtatshme që të jetë pranë “vëllait” të tij në këtë kohë për t’i përcjellë inkurajimin maksimal të mundshëm.

Messi udhëtoi me gruan e tij, Antonella Rocuzzo, e cila gjithashtu krijoi një miqësi të madhe me Luis Suárez dhe partneren e tij, Sofía Balbi, gjatë gjashtë viteve që të dyja familjet përkuan në Katalonja. Të dyja çiftet u takuan në restorantin italian “Numa Pompilio”, një nga vendet e modës më të spikatura në Madrid.

Të dy futbollistët arritën së bashku në të njëjtin automjet. Luis Suárez në timon dhe Messi si bashkë-shofer. Gratë e tyre mbërritën së bashku më vonë me një makinë tjetër, pasi “shfletuan” dyqanet e modës së nivelit të lartë në zonë.

Dendësia e kalendarit të ndeshjeve e ka bërë të vështirë që Messi dhe Luis Suárez të kenë qenë në gjendje të takoheshin fizikisht që nga largimi i papritur i uruguajanit prej Barçës. Sidoqoftë, 600 kilometra distancë nuk e ka dëmtuar miqësinë e krijuar në dhomën e zhveshjes Blaugrana mes amerikano-jugorëve.

Të dy futbollistët patën mundësinë të takoheshin përsëri më 8 maj në fushën e “Camp Nou”. Atë ditë përqafimi vëllazëror midis të dyve i la vendin një beteje sportive për titullin e La Liga-s, që mori anën e uruguajanit. Barazimi 0-0 lejoi Atlético Madridin të qëndronte në krye të renditjes.

Miqësia demonstrohet në momentet e rëndësishme dhe argjentinasi ka konsideruar se duhej të ishte pranë uruguajanit për ta inkurajuar para ndeshjes së fundit, kur mund të shpallet kampion. Me Barçën tashmë jashtë lufte, Leo e sheh suksesin e mikut të tij si të vetin.

Harmonia që kanë Messi dhe Luis Suárez jashtë fushës nuk është asgjë tjetër veçse një reflektim i mirëkuptimit të tyre në fushë. Argjentinasi dhe uruguajani luajtën gjashtë sezone së bashku te Barça, në të cilët shënuan 475 gola në total: 227 nga Messi, 198 nga Suárez. Po kështu dhanë 241 asiste në total: 144 nga Messi dhe 97 nga Suarez. Shifra të frikshme, që “përkthehen” në një Champions League, një Botëror Klubesh, një Superkupë Europiane, katër La Liga, katër Kupa të Mbretit dhe dy Superkupa Spanjolle për Barçën.