Nga Mustafa Nano/
Edi Rama i ka bërë një ofertë opozitës. Në thelb, oferta është shumë e thjeshtë: “Ejani të bashkëpunojmë! Formën e bashkëpunimit zgjidheni vet. Që nga përpjekjet e përbashkëta për të instaluar një frymë, një klimë të re në debatin publik, në komunikimin midis nesh, e deri te gatishmëria e përbashkët, gjithashtu, për të qeverisur vendin.” Është një ofertë që ka kapur në befasi shumëkënd, sidomos njerëz që i përkasin opozitës. Dhe kjo ofertë ka lexime të ndryshme. Ka njerëz që besojnë se kjo është një grackë e re e ngritur nga Rama.
Marrëdhënien dialektike midis Ramës dhe Bashës, këta njerëz e kanë parë gjithmonë si marrëdhënia midis një hileqari, Rama, dhe një njeriu që pëson hilet, Basha. Ka njerëz të tjerë që mendojnë se Rama e ka bërë nga halli këtë ofertë. Ai është një njeri në nevojë. Ai është kryeministri i vendit, por ai nuk ka finalizuar procesin e çeljes së negociatave. Dhe një klimë e re, apo një normalizim i marrëdhënieve midis mazhorancës dhe opozitës do të ndihmonte shumë në këtë proces.
Ka të tjerë që mendojnë se pas kësaj që ndodhi në datën 25 prill, Edi Rama ndihet si babai i kombit. Dhe dihet se babai i kombit hedh ide të mëdha, ide për bashkëpunim, ide për hapjen e epokave të reja. Gjithashtu, ka të tjerë që mendojnë se data 25 prill, dhe fitorja e mandatit të tretë, Ramën e ka ftilluar, i ka çelur sytë, e ka bërë të kuptojë se është e rëndësishme të jesh i pari i vendit, të sundosh vendin (po flas duke u njëjtësuar me Ramën), por është më e rëndësishme një gjë tjetër. Dhe kjo gjëja tjetër e ka emrin “interesi kombëtar, interesi publik”. Unë nuk e di se kush ka të drejtë në leximin e tyre.
Por një gjë dihet me siguri: kjo ofertë është bërë. Rama e ka bërë në më shumë se një rast. E ka bërë nga më shumë se një vend, në tubime elektorale, nëpër studio televizive, por edhe në rrethana të tjera. Dhe oferta është aty. Është mbi tavolinë. Pret një përgjigje. Por përgjigjja nuk ka ardhur, dhe unë besoj se do të vonojë për të ardhur një përgjigje ndaj kësaj oferte. Nëse ka për të ardhur ndonjëherë.
Momentalisht, Lulzim Basha është në pozita të dobëta. Ai është i pafuqishëm. S’ka qenë kurrë kaq i pafuqishëm. Unë njoh shumë demokratë që Lulzim Bashën e kanë parë me dyshim si lider, qysh në krye të herës, por numri i këtyre demokratëve është rritur jashtëzakonisht shumë pas këtyre zgjedhjeve. Ka me mijëra demokratë që vënë në diskutim tanimë autoritetin dhe legjitimitetin e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike. Një pjesë e tyre kanë filluar edhe përpjekjet për ta zëvendësuar.
Ata po i kërkojnë me këmbëngulje të japë dorëheqjen, të largohet nga kreu i Partisë Demokratike. Siç shihet pra, ky nuk është momenti i duhur, momenti i gjetur për të bërë një ofertë të tillë. Është moment shumë i mirë për Edi Ramën, sepse ai sapo ka fituar zgjedhjet, por nuk është moment i mirë për Lulzim Bashën për ta pranuar. Sikur Lulzim Basha të binte dakord, të merrte vendimin që t’i thoshte: “Po. Le të bashkëpunojmë! Le të qeverisim vendin së bashku!”, kjo gjë, ky vendim, ky gjest do të merrej si një gjest nëpërkëmbje, vetëpërçmimi, vetëpërbuzje.
Ky do të ishte leximi që do t’i bëhej në masë gatishmërisë së Lulzim Bashës. Do të quhej si poshtërimi i radhës që atij po i bëhet nga ana e Edi Ramës. Prandaj, kjo është arsyeja që unë nuk shoh shpresa për t’u sendërtuar, për t’u materializuar një ide e tillë.
Por në këto rrethana, unë mendoj se, nëse Edi Rama e ka seriozisht, nëse ai ka vullnetin e mirë e të plotë për të hapur një epokë të re, ai mund të startojë i vetëm një numër reformash, të cilave nuk mund t’u thuhej “jo” nga ana e opozitës, apo të cilat opozita do të kishte dëshirë që të adoptoheshin, të materializoheshin. Është fjala për një numër reformash që janë bazike, kur vjen puna te diskutimi mbi shëndetin institucional dhe politik të vendit. Një reformë do të ishte ajo që do të synonte transparencën financiare të aktivitetit të partive midis dy fushatash elektorale, apo gjatë fushatave elektorale. Ne duam dhe duhet të dimë se nga buron çdo qindarkë që shpenzohet nga partitë politike. Kjo është një reformë e rëndësishme.
Por është edhe një reformë tjetër më e rëndësishme, reforma që synon garantimin e barazisë në një garë elektorale. Shqiptarët, ne të gjithë jemi mësuar që në një garë elektorale partia në pushtet duhet të jetë e avantazhuar, sepse është në pushtet. Jo, kjo është e gabuar. Nuk ka pse të jetë. Në momentin që fillojnë zgjedhjet, partia në pushtet, qeveria nuk është asnjë tjetër veçse një nga lojtarët që zbresin në fushën e lojës, dhe ajo nuk ka pse të ketë në dorë menaxhimin, administrimin e zgjedhjeve. Nuk ka pse asaj t’i varet në qafë këmbora e sigurimit të mbarëvajtjes së zgjedhjeve. Është thjesht një nga lojtarët.
Dhe prandaj, nuk ka pse të jetë e avantazhuar në krahasim me të tjerat. Ne duhet të bëjmë çmos që të vijmë në situatën në të cilën të mos dëgjojmë më opozitën, në rastin kur opozita humbet, se “mazhoranca më vodhi zgjedhjet”. Ne duhet të bëjmë çmos që të vijmë në situatën në të cilën pretendimi opozitar, se “mazhoranca vodhi zgjedhjet” të jetë fare pa kuptim, ose të ketë të njëjtin kuptim që do të kishte pretendimi i mazhorancës se “Jo. Nuk isha unë. Ishte opozita që më vodhi zgjedhjet.” Kjo është rrethana në të cilën duhet të mbahen zgjedhjet elektorale.
Në këtë kuadër, duhet të limitohet në maksimum hapësira për ta përdorur administratën publike, apo resurset shtetërore. Në rrethanat elektorale, në një fushatë elektorale, partia në pushtet nuk duhet të lejohet të përdorë asnjë makinë, asnjë zyrë, asnjë faks, asnjë telefon, asnjë printer. Absolutisht asgjë! Sepse nuk ka pse ta gëzojë këtë privilegj, këtë favor. Ndërkohë që partia tjetër nuk e ka.
Madje, unë mendoj se pjesë e kësaj reforme duhet të jetë edhe një përpjekje për të limituar në maksimum numrin e aktiviteteve kryeministrore gjatë fushatës. Një kryeministër, gjatë fushatës, nuk duhet të lejohet të presë shirita, nuk duhet të lejohet të bëjë përurime, nuk duhet të lejohet të marrë pjesë nëpër inspektime të veprave publike, nuk duhet të lejohet të takojë zyrtarë të huaj, nuk duhet të lejohet të japë intervista nga zyra e kryeministrit etj., etj. E njëjta gjë duhet të ndodhë me ministrat. E njëjta gjë duhet të ndodhë me administratën në përgjithësi.
Opozita shqiptare ka pasur një shans fantastik, një rast shumë të volitshëm për ta bërë këtë gjë, për t’u përpjekur për të imponuar kërkesën e saj (që është kërkesa e të gjithëve) për barazi në garën elektorale. Në negociatat që ajo bëri me Partinë Socialiste në prani të ambasadores amerikane, disa muaj përpara se të fillonin zgjedhjet e fundit, ajo pati disa kërkesa. Por ishte vetëm një minimum kërkesash të cilat nuk përmbushnin ëndrrën, aspiratën, dëshirën për një garë të barabartë.
Dhe unë nuk e di pse nuk e bëri. Ishte shans i artë për ta bërë këtë gjë, sepse në atë rrethanë, Edi Rama ishte nën presion, dhe ai shprehu gatishmërinë se do t’i përgjigjej çdo kërkese të opozitës. Dhe në fakt, ai iu përgjigj çdo kërkese të opozitës. Dhe unë nuk e di pse opozita shqiptare nuk e shfrytëzoi atë rast për të garantuar, një herë e mirë, barazinë në garë. Fakti që opozita shqiptare u soll kështu, ka për të mbetur një mister për mua.