Pas emocionove të mëdha që na ka dhuruar Champions, ka ardhur moment që të mendohet për edicionin e 67-të të kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube, që do të nisë me paraeliminatoret e 8 gushtit dhe do të marrë formë më 26 gusht me shortin e fazës me grupe. Inter-i kampion i Italisë është kokë serie, Milan që “kthehet në shtëpi” pas 7 vitesh do ta nisë nga vazo e katërt, ndërsa Juventus dhe Atalanta do të jenë respektivisht në vazon e dytë dhe të tretë.
VAZO 1: Atletico Madrid, Manchester City, Inter, Bayern Munich, Lille, Sporting Lisbona, Villarreal, Chelsea
Fitoret befasuese në atdhe të Lille, Sporting Lisbone dhe Atletico Madrid dhe triumfi në finalen e Europa League i Villarreal kanë revolucionarizuar vazon e parë, ku përfshihen fitueset e dy kompeticioneve europiane dhe fituesit e 6 (7) kampionateve kryesore europiane. Skuadra e Emery nuk është kualifikuar nëpërmjet kampionatit, kështu që është bërë skuadra e pestë spanjolle e Champions-it falë triumfit në Gdansk. Falë fitores së Chelsea-t ndaj City-t, londinezët janë bërë skuadra e tetë e vazos, me Zenit, kampion i Rusisë, që ka përfunduar në vazon e tretë.
VAZO 2: Real Madrid, Barcellona, Juventus, PSG, Liverpool, Sevilla, Manchester United, Borussia Dortmund
Në vazon e dytë është Juventus dhe për bardhezinjtë duket se është një avantazh, sepse do të shmangin disa prej gjigantëve të futbollit europian: Real Madrid, Barcellona, Liverpool, PSG, Manchester United, Sevilla dhe Borussia Dortmund. Lajme të mira për bardhezinjtë, por duhet bërë kujdes sepse në vazo janë tre skuadra spanjolle dhe dy angleze: një situatë që, duke parë se nuk lejohen përballjat e skuadrave të të njëjtit vend në fazën me grupe, mund të dërgojë në grupin e Juventus njërën mes Manchester City (ose Chelsea) dhe Atletico Madrid.
VAZO 3: Ajax, Leipzig, Atalanta, Porto, Zenit
Për momentin janë vetëm pesë skuadra të sigurta dhe mes këtyre është edhe Atalanta, që nuk do të kthehet sezonin e ardhshëm në Amsterdam për të sfidiar Ajax-in. Në lojë për vazon e tretë dhe të katërt janë Besiktas, Dinamo Kiev dhe Brugge.
VAZO 4: Milan, Wolfsburg
Milan do të kthehet në Champions pas 7 vitesh dhe do ta nisin nga vazo e fundit, kështu që Pioli-n e pret sigurisht një grup ferri (edhe pse është shpresa që të peshkohet Sporting, Lille ose Villarreal nga vazoja e parë). Bashkë me kuqezinjtë, për momentin, në këtë vazo është vetëm Wolfsburg, që kthehet në Europë gjashtë vite nga hera e fundit.