Dramë edhe në javën e fundit. Premier League jo më kot është kampionati më i bukur në botë dhe rezultatet e sotme e tregojnë më së miri. Manchester City, edhe pse e kishte siguruar titullin, nuk e uli një marsh. Qytetarët mposhtën Evertonin me rezultatin 5-0 dhe De Bruyne dhe Gabriel Jesus shënuan që në fillim, për t’i lënë radhë talentit Phil Foden. Në fund duhej nderuar një legjendë e këtij klubi, Sergio Agueri, i cili e mbylli aventurën me City me dy gola të shënuar.

Liverpool ia doli të kualifikohej në Champions League, pasi mposhti me rezultatin 2-0 Crystal Palace me dy gola të realizuar nga Sadio Mane. Salah nuk shënoi dot dhe “Këpuca e Artë” shkoi për Harry Kane, i cili shënoi një gol sot në fitoren 2-4 të Tottenham kundër Leicester.

Këta të fundit mbeten jashtë Champions League, kurse “Spurs”-at do të luajnë në Conference League. “Dhelprat” ishin pranë kualifikimit, pas me dy golat e Vardy me penallti ishin në epërsi 2-1, kurse në krahun tjetër Chelsea po humbiste me Aston Villa. Gjithsesi Tottenham ua prishi planet. Shmeichel shënoi autogol, kurse më pas Gareth Bale realizoi dy herë në portën e Leicester. Chelsea, edhe me humbjen 1-2 siguroi një vend në Champions League. Në Europa League shkon edhe West Ham, që fitoi 3-0 me Southampton, kurse triumfi 2-0 i Arsenalit kundër Brigton nuk pati ndonjë vlerë.