Bashkimi Europian i ka kërkuar AstraZeneca të dorëzojë të paktën 120 milion doza deri në fund të Qershorit. AstraZeneca fillimisht kishte rënë dakord ti dërgonte BE-së 300 milion doza deri në fund të Qershorit, por deri më tani ka dorëzuar vetëm 50 milion doza dhe ka thënë se synon të dërgojë 100 milion doza deri në fund të Qershorit.
Rikujtojmë se Komisioni Europian ka ngritur padi kundër AstraZeneca. Shumica e vendeve të BE-së kane mbështetur padinë me arsyetimin se dorëzimi i dozave nga kompania ka vonuar procesin e vaksinimit.
Avokati i BE-së tha në gjykatë se kompania duhet të dorëzojë 120 milion doza deri në fund të Qershorit në kërkesën e parë zyrtare të bërë deri më tani nga Brukseli. Gjithashtu sipas avokatit, BE “shpresonte” që pjesa e mbetur e 300 milion dozave mund të dorëzohej deri në Shtator.
Nga ana tjetër avokati i AstraZeneca tha se kompania “shpreson” të dorëzojë 100 milion doza deri në fund të qershorit. Seanca tjetër është caktuar në 26 maj mbi çështjen e parë ligjore në të cilën BE po kërkon përshpejtim të menjëhershëm të dërgesave.
Vendimi pritet të merret para fundit të qershorit.