PSG pagoi një tarifë rekord botëror prej 222 milionë € për të nënshkruar me Neymar nga Barcelona më 2017. Braziliani shkëlqeu përkrah Lionel Messi dhe Luis Suarez në “Camp Nou”, por nuk ka “lulëzuar” aq në kryeqytetin francez. Në kërkim të Champions-it dhe “Topit të Artë”, 29-vjeçari ka ende ambicie për të luajtur së bashku me yllin portugez të Juventusit.
“Unë dua të luaj me Cristiano Ronaldon. Kam luajtur tashmë me lojtarë të shkëlqyeshëm si Messi dhe Kylian Mbappe, por nuk kam luajtur ende me Cristiano Ronaldon”, – tha braziliani për “GQ France”. Ronaldo i dha fund kohës së tij 9-vjeçare të mbushur me trofe te Real Madridi për t’u bashkuar me Juventusin më 2018. Që atëherë ka fituar dy tituj të Serie A në koleksionin e tij të argjendtë.
Sidoqoftë, portugezi nuk ka qenë në gjendje t’i frymëzojë bardhezinjtë për lavdi në Ligën e Kampionëve. Po flitet se mund të largohet nga klubi torinez, nëse nuk kualifikohet në Champions në fund të sezonit. PSG mund të bëjë ofertë për Ronaldon në verë, ndërsa një kthim i mundshëm në Madrid u hodh poshtë nga presidenti Florentino Perez. Zv.presidenti i Juves, Pavel Nedved, ka këmbëngulur së fundi se portugezi do të respektojë kontratën e tij deri më 2022.