“The Economist”
Javën që kaloi ne paraqitëm vlerësimin tonë mbi numrin e vërtetë të vdekjeve nga Covid-19. Kjo analizë tregon historinë e vërtetë të pandemisë, por përmban një paralajmërim urgjent. Nëse furnizimet me vaksinave nuk arrijnë shpejt në vendet e varfra, skenat tragjike që po shohim në Indi rrezikojnë të përsëriten diku tjetër.
Miliona njerëz të tjerë do të vdesin. Duke përdorur të dhënat e njohura për 121 variabla, nga vdekjet e regjistruara tek demografia, ne kemi ndërtuar një model korrelacionesh që na lejon të plotësojmë boshllëqet aty ku mungojnë shifrat.
Modeli ynë sugjeron se Covid-19 ka shkaktuar deri më tani nga 7.1 milionë deri në 12.7 milionë të vdekur në mbarë botën. Vlerësimi ynë bazë është se kanë vdekur afro 10 milionë njerëz. Ky numër i “vdekjeve të tepërta”, është 3 herë më i lartë sesa shifra zyrtare, e cila mbetet sidoqoftë baza për shumicën e statistikave mbi sëmundjen, përfshirë normat e fatalitetit dhe krahasimet midis vendeve.
Gjetja më kryesore e studimit tonë është se Covid-19 ka qenë shumë i i ashpër me të varfrit, më shumë se sa mendohej deri më tani. Të dhënat zyrtare sugjerojnë se pandemia goditi më rëndë Shtetet e Bashkuara dhe Evropën. Edhe pse Covid-19 ka bërë kërdinë në Amerikën e Jugut, u duk sikur pjesa tjetër e botës në zhvillim u lehtësua.
Modelimi ynë tregon një histori tjetër. Kur numëron të gjithë të vdekurit, vëren se pandemia është përhapur nga bota e pasur deri tek vendet më të varfra e më të izoluara. Shkalla e vdekjeve ka qenë vërtet shumë e lartë në disa vende të pasura, por shumica dërrmuese e 6.7 milionë apo më shumë vdekjeve që askush nuk i ka numëruar, kanë ndodhur në vendet e varfra dhe ato me të ardhura të mesme.
Në Rumani dhe Iran, vdekjet e tepërta janë më shumë sesa dyfishi i numrit të raportuar zyrtarisht. Në Egjipt, ato janë 13 herë më të mëdha. Në Amerikë, ndryshimi është 7.1 për qind. Përjashtim nuk bën as India,ku aktualisht po vdesin çdo ditë rreth 20.000 njerëz.
Sa i përket vdekjeve në raport me popullsinë në total, në Peru pandemia ka qenë 2.5 herë më e keqe se sa ajo në Indi. Sëmundja po përhapet me shpejtësi në Nepal dhe Pakistan. Variantet infektive përhapen më shpejt, dhe po i mbingarkojnë sistemet e kujdesit shëndetësor dhe morgjet, edhe pse virusi nuk është më vdekjeprurës. Në fund të fundit, mënyra për ta ndaluar këtë pandemi është vaksinimi.
Brenda vetëm një viti nga zbulimi i virusit, njerëzit tashmë kanë mundësi të mbrohen nga sëmundjet e rënda dhe vdekja. Qindra miliona njerëz kanë përfituar deri tani prej tyre. Por në periudhën afatshkurtër, vaksinat do të thellojnë ndarjen midis të pasurve dhe të varfërve. Shumë shpejt, të vetmit njerëz që do të vdesin nga Covid-19 në vendet e pasura do të jenë ata që janë shumë të brishtë nga shëndeti apo shumë të pafat, por edhe ata që kanë hequr dorë nga mundësia për t’u vaksinuar.
Ndërkohë, në vendet e varfra shumica e njerëzve nuk do të kenë zgjidhje. Ata do të qëndrojnë të pambrojtur për shumë muaj apo vite me radhë. Por bota nuk mund të jetë e qetë, teksa njerëzit vdesin për shkak të mungesës së një vaksine që kushton më pak se 4 dollarë për një vaksinim me 2 doza.
Është e vështirë të mendosh për një përdorim më të mirë të burimeve sesa vaksinimi.Vlerësimi bazë i ekonomistëve është se një vaksinim do të gjenerojë 2.900 dollarë të ardhura më shumë për vitin në vijim. Por nëse përfshihen faktorë si “Covidi i Gjatë”, dhe efekti nga dëmtimi i sistemit arsimor, përfitimi në total është shumë më i madh.
Përfitimi nga 1 miliardë doza shtesë deri më korrik, do të ishte qindra miliarda dollarë. Më pak koronavirus që qarkullon, do të thotë më pak mutacione, dhe për pasojë një shans më i vogël që një variant i ri të ri-infektojë të vaksinuarit. Furnizimet me vaksina, janë tashmë në rritje.
Sipas kompanisë analitike“Airfinity”, deri në fund të muajit prill prodhuesit e vaksinave prodhuan 1.7 miliardë doza, 700 milionë më shumë se sa në fund të marsit, dhe 10 herë më shumë se sa në janar. Para pandemisë, kapaciteti vjetor i vaksinave globale ishte afërsisht 3.5 miliardë doza.
Vlerësimet e fundit tregojnë se këtë vit prodhimi total do të jetë gati 11 miliardë vaksina. Madje disa ekspertë të kësaj industrie, parashikojnë një suficit global në vitin 2022. Por bota ka të drejtë të përpiqet të realizojë sa më shpejt procesin e vaksinimit të të gjithëve. Prandaj,presidenti amerikan Xho Bajden ka propozuar heqjen dorë nga pretendimet e pronësisë intelektuale për vaksinat Vovid-19. Shumë ekspertë argumentojnë se miliona doza të tjera mund të jenë të disponueshme nëse pronarët e patentave i ndajnë më të tjerët sekretet e vaksinave të tyre, përfshirë vendet që sot janë në pjesën e pasme të radhës.
Por ne besojmë se Bajden e ka gabim. Heqja dorë nga e drejta e pronësisë, nuk do të bënte asgjë për të përmbushur mungesën urgjente të dozave brena vitit2021. Kreu i Organizatës Botërore të Tregtisë, paralajmëron se kjo nismë mund të mos hidhet në votim para muajit dhjetor.
Transferimi i teknologjisë do të kërkonte 6 muaj apo më shumë kohë,edhe nëse do të fillonte sot. Ndërkohë me vaksinat e reja me teknologjinë mARN të Pfizer dhe Moderna, mund të duhet edhe më shumë kohë. Nëse presidenti amerikan dëshiron vërtetë ndryshimin e situatës, ai mund t’i dhurojë tani vaksinat e tepërta që ka SHBA përmes nismës Covax.
Është e gabuar të nisësh të vaksinosh adoleshentët në SHBA apo Britani, të cilët kanë një rrezik të vogël për të vdekur nga Covid-19, para të moshuarve dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor në vendet e varfra. Në gjashtë muajt e ardhshëm, bota e pasur mund t’i japë miliarda doza vaksina pjesës tjetër të planetit. Vaksinat kanë krijuar mundësinë për të shpëtuar miliona jetë. Bota nuk duhet që ta shpërdorojë këtë shans.