Në fillimet e pandemisë, njerëzit e shihnin shpëtimin vetëm tek vaksinat. Por tashmë që vaksina nuk është më një ëndërr ekspertët e shëndetit po vënë re se njerëzit pasi kanë marrë dozën e parë, e kanë neglizhuar të dytën.
CDC (Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjes) thotë se deri në javën e parë të majit, rreth 8% e personave që kanë marrë dozën e parë të vaksinës, e kanë refuzuar marrjen e dozës së dytë.
Kjo ka ngritur shqetësimin tek autoritet, sepse në këtë mënyrë mund të mos arrihet asnjëherë imuniteti i tufës, i cili do t’i jepte fund pandemisë.
Në një lidhje “Skype” për “Wake Up” nga Spanja, mjeku shqiptar, Kita Sallabanda Diaz theksoi se një dozë e vetme e vaksinës nuk është e mjaftueshme për t’u mbrojtur nga covid-19.
“Ky është një fakt që është i vërtetë. Duhet të sqarojmë dy gjëra të rëndësishme. E para, mbrojtja që kemi ne ka dy shkallë. Shkalla e parë është me formimin e antitrupave qe ne mund t’i dallojnë në mënyrë masive me kontrollin e testeve të antitrupave. Faza e dytë është ajo që quhet imuniteti qelizor, që është më vështirë të kontrollohnget me analiza, pasi është i kushtueshëm, por përsëri ne kemi filluar ta kontrollojmë.
Me vetëm një vaksinë ne nuk arrijmë të kemi atë që quhet imuniteti i antitrupave, nuk kemi një imunitet të plotë ndaj covid-19. Ky është një qëndrim krejtësisht absurd. Sa më tepër vaksinojmë, më pak të sëmurë kemi, më pak vdekje kemi. Ka një grup njerëzish që e kanë kaluar covid-19 dhe ndoshta te ky grup njerëzish është e rekomandueshme edhe në Itali e Spanjë të bëjnë vetëm një dozë.
Por, vetëm ata që e kanë kaluar edhe kjo bëhet vetëm me një test të antitrupave. Të shihet sa antitrupa ka pas dozës së parë dhe pastaj të merret vendimi. Por, ka filluar të futet mendimi të bëjmë një dozë të tretë të vaksinës pas 8 muajsh, sepse kanë parë që ka rënë niveli i mbrojtjes”, sqaroi mjeku i njohur.
Por kush janë arsyet që i shtyjnë njerëzit të mos marrin dozën e dytë?
Në fakt arsyet e refuzimit të dozës së dytë sipas ekspertëve të shëndetit, janë disa.
E para sepse njerëzit mund të kenë frikë nga efektet anësore që mund të shkaktojë vaksina, e dyta nga keqinformimi në lidhje me efektivitetin që mund të krijojë vaksinimi i plotë, ndryshe nga një dozë, por ka dhe arsye të tjera.