Cristiano Ronaldo do të përballet me Milanin sonte, klubin të cilit ishte afër t’i bashkohej më 2017.
Superylli portugez qëndroi edhe për një vit në Real Madridit, para se të kalonte në Serie A përfundimisht, duke iu bashkuar Juventusit verën e vitit 2018.
Por historia ka mundur të ishte ndryshe.
Nën pronësinë kineze, bordi i atëhershëm i Milanit ishte i etur për ta blerë Ronaldon, sipas Gazzetta dello Sport.
Dhe megjithëse gjiganti italian ishte në gjendje t’i ofronte vetëm futboll në Ligën e Evropës atë kohë, Ronaldo ishte i gatshëm të vishej kuqezi.
“Është e vërtetë, Yonghong Li (ish-pronari i Milanit) e donte Cristiano Ronaldon në Milan”, tha Marco Fassone, shef ekzekutiv i Milanit atë botë.
“Ai e donte atë sepse besonte se Ronaldo kishte vlerë të madhe në tregun kinez. Lojtari donte të largohej nga Real Madridi. Ne u takuam me menaxherin e tij Jorge Mendes në korrik të vitit 2017 për të biseduar”, shtoi ai.
Kjo u konfirmuar edhe nga ish-drejtori sportiv i Milanit, Massimiliano Mirabelli.
“Ronaldo na tha: ‘Ju nuk jeni në Ligën e Kampionëve, në rregull, por unë nuk e kam fituar kurrë Ligën e Evropës dhe do ta fitoj edhe atë’. Ai ishte i bindur”, tha Mirabelli.
“Disa thonë se është shaka, por ne e kishim siguruar Ronaldon”, shtoi ai. /