Divjaka, këtë fundjavë, duket se ka qenë një nga destinacionet kryesore të vizitorëve nga i gjithë vendi. Pylli me pisha që shtrihet paralelisht me bregdetin e bën në një nga vendet e përzgjedhur nga shumë qytetarë të organizuar me makinat personale apo me autobusë.
“Më bëri përshtypje që ishte kaq gjelbër, ajri shumë i pastër. Vend shumë i bukur”.
“Është vend i veçantë, parku andej sidomos, pastër bukur, për të kaluar një fundjavë”.
“Është një qytet i pastër mesa duket, se hera e parë edhe për mua. Mendoj që është një mundësi e mirë për klasat, mirë do ishte ta vizitonin”.
Teksa procesi i vaksinimit dhe imuniteti i krijuar nga pandemia po i jep shpresë sektorit të turizmit, operatorët turistik thonë se kriza që la koronavirusi do bëjë që edhe çmimet të jenë më të ulëta.
“Turistët kanë filluar ta frekuentojnë Divjakën në nivele të larta. Fundjavat kanë fluks të ndjeshëm. Duke qenë se vendi ndodhet në krizë nga pandemia, do shohim paketa me ulje çmimesh”.
1500 turistë vendas kanë vizituar plazhin e Divjakës brenda një dite, ndërsa pritet një rritje e rezervimeve për muajt e Verës edhe nga turistët e huaj.