Një grua në Kaliforni që pretendon se ka fituar Lotarinë prej 26 milionë dollarësh, thotë se ka humbur biletën fituese dhe ka frikë se e ka prishur atë në lavatriçe.

Siç shkruan BBC, bileta fituese e “SuperLotto Plus” u shit në një dyqan në periferi të Los Angeles, në muajin nëntor.

Gruaja, identiteti i së cilës nuk është bërë i ditur, thuhet se është filmuar nga kamerat e sigurisë duke blerë një biletë në dyqan në atë kohë. Mirëpo ajo nuk u paraqit të dorëzonte biletën fituese, në afatin e caktuar, që përfundoi të enjten.

Një anëtar i stafit në dyqanin ku u shit bileta fituese, tha se një grua i kishte vizituar të Mërkurën duke pretenduar se ishte ajo që e kishte blerë atë, por e kishte humbur biletën dhe kishte frikë se ajo kishte futur atë aksidentalisht me pantallonat në lavatriçe.

Një zëdhënëse e Lotarisë së Kalifornisë, Cathy Johnston, tha se pamjet e dyqanit nuk do të ishin të mjaftueshme për të vërtetuar pretendimin e gruas dhe i thotë asaj se kërkohen “prova thelbësore e bindëse se e posedonit biletën”.

Sidoqoftë, një kopje e videos është marrë nga organizatorët e lotarisë dhe pretendimi i zonjës po hetohet më tej.

Organizatorët thanë se nëse nuk do të shpallet ndonjë fitues i çmimit të parë, paratë do të shpërndahen në shkollat ​​publike të Kalifornisë.

Shitësi me pakicë që shiti biletën fituese ka marrë 130 mijë dollarë si pjesë e procedurës standarde të lotarisë. Është jashtëzakonisht e rrallë që ata që kanë biletat fituese në Lotarinë e Kalifornisë të mos deklarohen.